Namazi i Fitër Bajramit është falur sot në ora 06:18 në të gjithë Kosovën, duke shënuar përmbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit dhe fillimin e festës së madhe islame.
Manifestimi qendror për Republikën e Kosovës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku faljes së namazit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Ndërkaq, hytben e Fitër Bajramit e mbajti myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili iu drejtua besimtarëve me një mesazh urimi dhe reflektimi.
Në mesazhin e tij, myftiu Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore dhe morale të muajit të Ramazanit, duke vënë në pah se agjërimi dhe lutjet ndihmojnë në pastrimin e zemrës, forcimin e lidhjes me Zotin dhe rritjen e solidaritetit mes njerëzve.
Ai theksoi se Fitër Bajrami nuk është vetëm një festë gëzimi, por edhe një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke nënvizuar rëndësinë e faljes, dashurisë dhe përgjegjësisë morale ndaj shoqërisë.
“Të jetë kjo festë burim gëzimi, paqeje dhe shprese për të gjithë ju dhe familjet tuaja”, u shpreh Tërnava, duke bërë thirrje për paqe dhe mirëkuptim në një kohë sfidash globale.
Me rastin e festës, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon edhe pritjen tradicionale të urimeve në selinë e saj nga ora 09:00 deri në 12:00.
Fitër Bajrami vjen pas muajit të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice, përkushtimi dhe afërsie me Zotin.