Fejzullahu “ofertë” për dalje në “tregun e hapur”, të dominuar nga një kompani

Edhe pse zyrtarisht në Kosovë janë 19 furnizues, tregu i energjisë elektrike është i dominuar nga KESCO-ja. Ky dominim mundësohet nga marrëveshja për furnizim me shumicë me KEK-un, që buron nga privatizimi, e të cilën BE-ja e konsideron pengesë në hapjen e tregut. Pavarësisht situatës me treg të dominuar, kreu i ZRRE-së, së fundmi, bëri një lloj oferte që konsumatorët të gjejnë vetë furnizuesin

Kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, u bëri një lloj “oferte” konsumatorëve, që të gjejnë energji me çmime më të favorshme në tregun e hapur.

Megjithëse në Kosovë janë zyrtarisht 19 furnizues, tregu është i dominuar nga KESCO – dhe bazuar në këtë ZRRE-ja e ka licencuar atë si Furnizuesi të Shërbimit Universal, duke mundësuar tarifa të rregulluara.

Ky dominim buron nga marrëveshja për furnizim me shumicë, në kuadër të privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, e cila e obligon KEK-un t’i shesë KESCO-s tërë sasinë e prodhuar, përveç kur nuk ka kërkesë.

Për më se një dekadë, kompania publike i shet energji elektrike asaj private me çmim prej 29.5 euro për megavat/orë.

Bazuar në çmimet në fuqi, për konsum vetëm me tarifën ditore, KESCO-ja ua shet konsumatorëve shtëpiakë sasinë e njëjtë për 88.90 euro – ndërsa në një kombinim 60-40 me tarifën e natës, për 62.26 euro.

Në së paku tre raportet e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën, marrëveshja e furnizimit me shumicë KEK-KESCO konsiderohet si bllokadë në liberalizimin e tregut – teksa përsëritet rekomandimi për heqje dhe ristrukturim të saj.

Në Prill 2024, kreu i ZRRE-së kishte thënë se janë të pafuqishëm në raport më këtë rekomandim, që është pjesë e Planit Kombëtar për Integrim Evropian.

“Ajo (marrëveshja KEK-KESCO për furnizim me shumicë) është pjesë e procesit të privatizimit. I vetmi institucion që është përjashtuar nga ajo marrëveshje është ZRRE-ja, dhe si e tillë e ka të pamundur me e bë ndonjë ndryshim”, ka deklaruar Ymer Fejzullahu.

Një vit më pas, ZRRE nisi liberalizimin e tregut jo nga operatorët por nga konsumatorët, duke vendosur që ata me më shumë se 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim të dalin në treg të hapur, nga 1 Qershori.

Ky veprim vlerësohet i nxituar dhe i papërgatitur.

“Tregu i liberalizuar energjetik ka shumë përgatitje për të cilën është në pikën zero – ZRRE-ja dhe Qeveria ose institucionet – është dashur ta përgatisin tregun për ta liberalizuar. Liberalizimi i tregut ka kuptim kur bizneseve u ofrohen kushte tjera më të mira, në këtë rast është me hile shumë”, ka deklaruar Hamdi Malushaj, njohës i sektorit të energjisë.

Dominimi aktual në treg, sipas Hamdi Malushajt nga Dhoma e Tregtisë, nuk lejon liberalizim.

“Na e kemi shitë të drejtën në energji, edhe është shitë 1 miliardë euro për 26 milionë euro, me gjithë komponetat kontraktuale që s’janë transparente asnjëherë që janë shumë më të mëdha se kostot e aseteve që i kemi shitë, kemi shitë të drejtën. Edhe tash jemi energjetikisht të robëruar”, ka theksuar ai.

Këtë vit, krahas “liberalizimit të tregut” për konsumatorët komercialë të mëdhenj, pritet edhe ngritja e tarifave në shërbimin universal për 15%.

Shija e redaktorit

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

Të fundit nga rubrika