Një qytetare nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para dhe e ka dorëzuar në Stacionin Policor në Ferizaj, duke u vlerësuar për gjestin e saj të ndershëm dhe qytetar.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur sot rreth orës 16:55 në rrugën “Agim Matoshi” në Ferizaj, ku qytetarja A. Mehmeti, 43 vjeçare, mësimdhënëse, ka gjetur portofolin me një shumë të caktuar parash.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se “menjëherë pas gjetjes, qytetarja A. Mehmeti e ka dorëzuar portofolin me paratë në stacionin policor në Ferizaj”.
Policia ka bërë të ditur se fillimisht pronari nuk ishte i identifikuar, ndërsa hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar kamerat e sigurisë në zonë.
“Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja L.K., 22 vjeçare nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit”, thuhet në njoftim.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, pronares së ligjshme i është kthyer portofoli me shumën prej 2030.85 euro.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetaren për veprimin e saj, duke theksuar se “ky gjest paraqet shembull të lartë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare dhe forcon besimin mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit”.