Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë me një mesazh drejtuar tifozëve para ndeshjes vendimtare ndaj Turqisë, në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës.
FFK u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë zëri i ekipit kombëtar në një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.
Federata ka theksuar se sonte është një “moment historik” që nuk përsëritet shpesh dhe që kërkon përkrahje maksimale nga tribuna.
Në thirrjen e saj, FFK ka potencuar se ndeshja nuk duhet parë si një spektakël i zakonshëm, por si një rast ku çdo tifoz duhet të jetë pjesë aktive e lojës, duke e kthyer stadiumin në një “lojtar të dymbëdhjetë” për Kosovën.
Federata ka kërkuar respekt ndaj kundërshtarit, sidomos gjatë intonimit të himnit, por thekson se gjatë lojës stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një ambient me atmosferë të zjarrtë, që i jep energji ekipit përfaqësues.
Sipas FFK-së, kjo ndeshje përfaqëson më shumë se sport – është një mundësi për të prezantuar Kosovën në skenën më të madhe të futbollit botëror dhe për të shkruar historinë.
“Sonte nuk luan vetëm një ekip, sonte luan një komb i tërë”, thuhet në mesazhin e federatës drejtuar tifozëve.
90 minuta që vlejnë një histori – Kosova drejt ëndrrës amerikane