Franca po shkon drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë. Debati për projektligjin ka nisur në Asamblenë Kombëtare, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar që masa të hyjë në fuqi që në fillim të vitit shkollor, në shtator.
Sipas ligjit të propozuar, fëmijëve nën 15 vjeç do t’u bllokohet qasja në rrjete si Snapchat, Instagram dhe TikTok. Autoriteti shtetëror i mediave do të hartojë një listë të platformave që konsiderohen të dëmshme dhe këto do të ndalohen plotësisht për këtë grupmoshë.
Një listë tjetër e platformave që cilësohen më pak të rrezikshme do të jetë e aksesueshme vetëm me miratimin e shprehur të prindërve.
Macron e ka justifikuar nismën me shqetësimet për shëndetin mendor të fëmijëve.
“Nuk mund ta lëmë shëndetin mendor dhe emocional të fëmijëve tanë në duart e njerëzve, që synim të vetëm kanë përfitimin financiar”, ka deklaruar ai muajin e kaluar.
Projektligji pritet të ketë mbështetje të gjerë në parlament, pasi përkrahësve të Macronit mund t’u bashkohen edhe Republikanët e qendrës së djathtë (LR) si dhe partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar (RN).
Një tjetër nen i ligjit parashikon edhe ndalimin e përdorimit të telefonave mobil në shkollat e mesme (lycées), ndalim që tashmë është në fuqi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta.
Nëse ligji miratohet, Franca do të duhet të përcaktojë mekanizmin e verifikimit të moshës. Aktualisht, një sistem i tillë ekziston për qasjen në faqet me përmbajtje pornografike, ku kërkohet dëshmi se përdoruesi është mbi 18 vjeç.
Nisma franceze është pjesë e një trendi më të gjerë ndërkombëtar. Danimarka, Greqia, Spanja dhe Irlanda po shqyrtojnë masa të ngjashme, ndërsa qeveria britanike ka nisur së fundmi një konsultim publik për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Projektligji bazohet në një tekst të hartuar vitin e kaluar nga deputetja Laure Miller, e cila drejtoi një hetim parlamentar mbi efektet psikologjike të TikTokut dhe rrjeteve të tjera sociale, raporton BBC.
Macron e ka bërë këtë çështje një nga prioritetet e fundit të mandatit të tij, në një kohë kur është dobësuar politikisht pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, që prodhuan një parlament të fragmentuar.
Nëse teksti miratohet të hënën, ai do të kalojë për shqyrtim në Senat brenda muajit të ardhshëm. Presidenti ka kërkuar procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi para shtatorit.
Një përpjekje e ngjashme ligjore në vitin 2023 dështoi, pasi gjykatat vlerësuan se ndalimi binte ndesh me ligjin evropian, çka ka detyruar autoritetet franceze të rishkruajnë projektligjin aktual.