Franca me nismë të re për t’i bërë presion Azerbajxhanit për Karabakun

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do të fillojë një nismë të re diplomatike për t’i bërë presion Azerbajxhanit lidhur me bllokadën që ka shkaktuar në rajonin e Nagorno-Karabakut, ku banojnë armenët etnikë

Kamionët me ndihmë humanitare të bllokuar në korridorin Laçin. 30 korrik 2023.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do të fillojë një nismë të re diplomatike për t’i bërë presion Azerbajxhanit lidhur me bllokadën që ka shkaktuar në rajonin e Nagorno-Karabakut, ku banojnë armenët etnikë.

Bllokada në rrugën e vetme që lidh këtë rajon të shkëputur me Armeninë, ka rritur frikën për një krizë humanitare.

Pa dhënë detaje për këtë nismë diplomatike, ai tha gjatë një konference me ambasadorët francezë se do të zhvillojë bisedime me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, dhe presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në ditët në vijim.

“Ne do të kërkojmë respektim të plotë të korridorit humanitar të Laçinit dhe ne do të nisim një iniciativë të re ndërkombëtare për të rritur presionin për këtë çështje”, ka shtuar Macron.

Armenia i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbajë një takim krize për Nagorno-Karabakun, duke përmendur si arsye përkeqësimin e situatës humanitare dhe duke fajësuar Azerbajxhanin për bllokimin e furnizimeve në rajonin e kontestuar.

Këto dy shtete fqinje në Kaukaz kanë mosmarrëveshje të kamotshme për Nagorno-Karabakun, rajon që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Mosmarrëveshjet kanë nisur në vitet ’80 dhe që atëherë të dy shtetet kanë zhvilluar dy luftëra.

Në luftën e dytë, më 2020, forcat armene humbën dhe Azerbajxhani fitoi territor të konsiderueshëm.

Për muaj të tërë, Jerevani e ka akuzuar Bakun se ka ndalur qarkullimin në korridorin Laçin – një rrugë e shkurtër malore që lidh Armeninë me Nagorno Karabakun, të banuar me armenë etnikë edhe pas konfliktit të fundit.

Përfaqësuesi i Armenisë në OKB, Mher Margaryan, më herët gjatë këtij muaji paralajmëroi se banorët e Nagorno-Karabakut janë në prag “të një katastrofe humanitare”, për shkak të mungesës së furnizimeve me ushqime, ilaçe dhe energji.

Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika