Të enjten e 21 korrikut, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) ka pranuar një donacion në vlerë prej 75 mijë dollarëve nga Agjencia Amerikane për Reduktimin e Kërcënimeve të Mbrojtjes(DTRA).
Ministri Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky donacion përfshin automjetin special për transportin e personelit dhe pajisjeve specialistike për intervenime në operacione kundër materieve të rrezikshme.
Donacione të ngjashme krahas mbështetjes në trajnime, DTRA do të vazhdojë edhe në të ardhmen për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të kapaciteteve të mbrojtjes kimike, atomike, biologjike dhe radiologjike.
“Falënderim dhe mirënjohje e lartë për DTRA-në”, ka përfunduar Mehaj.
Ndërsa edhe më 14 korrik FSK ka pranuar një donacion prej 405 mijë euro nga Gjermania.
Ministri Mehaj, ishte takuar me atasheun jorezident gjerman të mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Franz-Josef Nolte, me ç’rast ishte nënshkruar një Marrëveshje për donacion me Gjermaninë për dhurimin e kamionëve për autoshkollën e FSK-së, vlera e të cilit është 405 mijë euro.