136 ankesa më pak të pranuara se vitin e kaluar në IPK

Inspektorati Policor i Kosovës, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2023, ka pranuar 1561 ankesa, rreth 136 më pak krahasuar me vitin e kaluar

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoriatit Policor, Kushtrim Hodaj

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2023, ka arrestuar 35 persona të dyshuar, ku 21 nga ta kanë qenë punonjës policorë dhe 14 të tjerë ishin qytetarë.

Ndërsa, sa u përket rekomandimeve për suspendim nga detyra zyrtare, ka pasur rreth 69 sosh.

Në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 69 Kallëzime Penale. Në total 45 prej tyre janë Raporte të Veçanta dhe 48 Raporte Informuese.

Kryeshefi ekzekutiv në IPK, Kushtrim Hodaj, për Portalin Dukagjini ka konfirmuar se në periudhën janar-nëntor kanë pranuar, gjithsej, 1561 ankesa në IPK.

Ankesa në IPK gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor)

Sipas Hodajt, 1051 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ulët, janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për Hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës.

Ndërsa, 500 nga ankesat e pranuara janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK në dyshimin për veprimtari penale, kurse 10 rastet e tjera janë dërguar në institucione të tjera.

Kushtrim Hodaj, kryeshef i IPK-së

Hodaj, ndër të tjera, ka bërë të ditur se si subjekt të hetimit nga Inspektorati Policor i Kosovës ka pasur, gjithsej, 176 të dyshuar, të cilët janë hetuar me dyshimin se kanë kryer vepra penale.

Sipas të dhënave nga IPK-ja, gjatë vitit të kaluar, respektivisht vitit 2022, ka trajtuar 1697 ankesa.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 12 inspektime për të përmirësuar performancën e Policisë së Kosovës.

Si sfidë kryesore e IPK-së, sipas kryeshefit ekzekutiv Hodaj, gjatë vitit 2023 kanë qenë mungesa e burimeve njerëzore dhe kapacitetet logjistike.

Intervistën e plotë me kryeshefin ekzekutiv në Inspektoratin Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, e gjeni më poshtë.

Portali Dukagjini: Sa ankesa të qytetarëve ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë raportuar dhe sa janë trajtuar gjatë vitit 2023?

Hodaj: IPK gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor) ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1561 ankesa. Prej tyre 1051 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës në Policinë e Kosovës, 500 nga to janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve në IPK me dyshimin për veprimtari penale, kurse 10 raste janë dërguar në Institucione të tjera.

Portali Dukagjini: Sa suspendime të zyrtarëve policorë janë realizuar gjatë vitit 2023?

Hodaj: Bazuar në të dhënat nga evidencat zyrtare, gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor), subjekti i hetimit nga IPK-ja kanë qenë gjithsej 176 të dyshuar, të cilët janë hetuar me dyshimin se kanë kryer vepra penale.

Për periudhën raportuese, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:

  • ka arrestuar 35 të dyshuar ( 21 punonjës policorë dhe 14 qytetarë),
  • 69 rekomandime për suspendim,
  • në prokuroritë kompetente janë dorëzuar 69 Kallëzime Penale, 45 Raporte të Veçanta dhe 48 Raporte Informuese.

Portali Dukagjini: Sa zyrtarë policorë janë arrestuar gjatë vitit 2023?

Hodaj: Deri në dhjetor të këtij viti, IPK-ja ka arrestuar 35 të dyshuar ( 21 punonjës policorë dhe 14 qytetarë).

Portali Dukagjini: A ka pasur ndonjë ndryshim në strukturën organizative të Inspektoratit Policor gjatë këtij viti?

Hodaj: Nuk ka pasur ndonjë ndryshim në Strukturën organizative, IPK-ja ka vazhduar punën me kapacitetet dhe organogramin e njëjtë të paraparë në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme po punojmë për të rritur kapacitet në burime njerëzore në vitin që vjen.

Portali Dukagjini: Cilat janë sfidat kryesore që Inspektorati Policor i ka hasur gjatë vitit 23’ dhe si i ka tejkaluar ato?

Hodaj: Mungesa e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve logjistike shpeshherë është sfidë për institucionet e zbatimit të ligjit, por, megjithatë, konsideroj që kemi arritë të kemi një performancë jashtëzakonisht të mirë dhe të vlerësuar tashmë brenda dhe jashtë Kosovës, duke ju falenderuar edhe partnerëve ndërkombëtarë në vecanti, institutcioneve nga Qeveria Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve profesionale e teknike për IPK-në.

Portali Dukagjini: Krahasuar me vitin 2022, a ka pasur rritje të raportimeve të qytetarëve këtë vit?

Hodaj: Duke iu referuar statistikave të vitit të kaluar dhe atyre të këtij viti, vërehet se trendi i numrit të raportimeve dhe ankesave të pranuara nga qytetarët është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar, me një ulje të lehtë të numrit të ankesave. IPK gjatë vitit 2023 (deri në muajin dhjetor) ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1561 ankesa, kurse vitin e kaluar ka trajtuar 1697 ankesa.

Portali Dukagjini: Cilat janë rekomandimet apo përfundimet e nxjerra nga inspektimet gjatë këtij viti?

Hodaj: Përgjatë këtij viti, IPK-ja ka realizuar 12 inspektime, për të përmirësuar performancën e Policisë së Kosovës në fushat e inspektuara si në vijim:

  • Menaxhimi i Fondit Emergjent nga Policia e Kosovës,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Obiliqit,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Gjakovës,
  • Shqyrtimi i shkeljeve disiplinore dhe shqiptimi i masave ndaj punonjësve të Policisë nga Komisioni i Brendshëm Disiplinor,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Ferizajt,
  • Vlerësimi i Performancës së Stacionit Policor të Klinës,
  • Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës,
  • Vlerësimi i zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e Pikave të Përbashkëta të Kalimit Kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar,
  • Menaxhimi i trafikut rrugor në kryeqytet,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Malishevës,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Istogut,
  • Vlerësimi i performancës së Stacionit Policor të Fushë-Kosovës.

Në secilin inspektim që IPK-ja ka përfunduar, ka dhënë rekomandime, që për qëllim e kanë përmirësimin e performancës policore dhe përmirësimin e shërbimeve të sigurisë karshi qytetarëve të vendit.

Shembull i kësaj mund të merret raporti i inspektimit lidhur me “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës”, i cili është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta dhe është përqendruar në stacionet policore në kuadër të Divizionit të Sigurisë Publike dhe në Divizionin e Policimit në Bashkësi.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues, operativ dhe hetimor.

IPK-ja, në kuadër të këtij inspektimi, ka dhënë nëntë (9) rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e përmbushjes së ekipeve hetimore me personel të mjaftueshëm për trajtimin e rasteve, ushtrimin e kontrolleve për të siguruar kohë më të shpejtë të reagimit në thirrje të qytetarëve për dhunë në familje, përpilimin e raporteve ditore lidhur me të gjitha rastet, ndjekjen e procedurës së aprovimit të kallëzimeve penale sipas zinxhirit komandues të përcaktuar, sigurimin e teknologjisë për komunikim për intervistimin e palëve, krijimin dhe funksionalizimin e “dhomave mike” në kuadër të stacioneve, etj.

Portali Dukagjini: Cilat janë prioritetet kryesore që Inspektorati Policor do të hasë për vitin e ardhshëm 2024?

Hodaj: Prioritet kryesor i yni mbeten aktivitetet që ndikojnë në fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet shërbim policor, profesional, i përgjegjshëm e demokratik. Do të shtojmë aktivitetet tona në luftimin e çfarëdo veprimi të kundërligjshëm apo tejkalimi të autorizimeve nga ana e zyrtarëve policorë të të gjitha niveleve. Gjithashtu, do të shtrijmë kontrollin dhe mbikëqyrjen përmes inspektimit të gjitha fushave të menaxhimit policor, proces përmes të cilit në evidentojmë të gjetura dhe japim rekomandime se si të përmirësohet puna e policisë. Gjithashtu, do të vazhdojmë të rrrisim koordinimin dhe bashkëpunim ndërinstitucional vendor dhe rajonal, për të rritur efikasitetin dhe profesionalizmin në trajtimin e rasteve.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika