Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër qeverinë, duke thënë se ajo ka krijuar panik te qytetarët dhe ka dështuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Gashi, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se pasojat e këtij, siç e quajti ai, paniku, po ndikojnë edhe tek qytetarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët nuk po investojnë më në Kosovë.
“Qeveria ka krijuar panik tek qytetarët saqë ata që jetojnë jashtë as nuk investojnë më në Kosovë dhe ky panik i krijuar është i panevojshëm – ‘do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin’ tash e gjashtë vjet thonë por ku është ai krim e korrupsion – krimi dhe korrupsioni është Albin Kurti dhe Qeveria e tij për gjashtë vjet”, u shpreh Gashi.
Gashi, mes tjerash, kritikoi edhe idenë e themelimit të xhandarmërisë, duke e cilësuar një ide nacionaliste të Vetëvendosjes për përfitime elektorale.
“Xhandarmëria është ideja e fundit nacionaliste që Vetëvendosje e ka hedhur në treg për me mujt me përfitu vota. Unë i pashë pyetjet që iu bën ministrit Sveçla dhe jam i bindur që edhe kryeministrin me e pyet nuk e di se çfarë është xhandarmëria dhe nuk e dinë traditën e xhandarmërisë sepse ato janë institucione që janë krijuar për të mbrojtur mbretin. Për shembull në vendet e Lindjes së Mesme janë Garda Revolucionare që duhet të mbrojnë regjimin – çka po dëshiron me bo me xhandarmëri në Kosovë, cili është misioni i saj sepse duhet me u rishiku i gjithë sektori i sigurisë në Kosovë dhe marrëveshje për sektorin e sigurisë në Kosovë është marrëveshje e bërë me NATO-n”, u shpreh Gashi.