Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, vlerëson se partia shënoi rënien më të madhe kur krerët e saj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, shkuan në Hagë.
Gashi, në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se pas shkuarjes së tyre, partisë iu deshtë kohë të marrë vetën, njofton Dukagjini.
“Në zgjedhjet nacionale ne kemi pasur një periudhë jo të mirë prej kohës kur pati zhvillime në PDK-në, shkuarja e dy liderëve tanë historik partiak dhe pastaj u dashtë të rikuperohemi – atëherë kemi pasur rënien më të madhe”, u shpreh Gashi.
Megjithatë, Gashi vlerëson se PDK-ja zgjedhje pas zgjedhjeve po shënon rezultate më të mira teksa për vete tha se shpreson që kësaj radhe të bëhet deputet.
“Rezultatet tona kanë qenë të mira zgjedhje pas zgjedhjeve e kulmi i gjithë këtij suksesi të madh që kemi bo kanë qenë zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e fundit nacionale mbeta pa hy në kuvend pa 2 mijë vota – ishte një proces interesant ku për herë të parë votohej për 10 kandidatë dhe askush e as unë se kemi ditë që mund të jetë një prag individual për kandidat kaq i lartë. Kësaj radhe garës i kemi hy me shumë vullnet e përkushtim dhe besoj që më 28 dhjetor do të jem pjesë e kuvendit të Republikës së Kosovës pasi edhe kontributi im personal dhe degës në Prizren është rezultat i jashtëzakonshëm në këto zgjedhje lokale sa i përket numrit të votave për kuvende komunale dhe kryetarin e komunës, Shaqir Totaj”, tha Gashi.