Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka emëruar zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, në pozitën e Koordinatores Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
Sipas Kurtit, ky emërim synon të forcojë përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, duke e trajtuar atë si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore, njofton Dukagjini.
Ai theksoi se përpjekjet për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme dhe se kjo çështje po trajtohet si përgjegjësi e përbashkët institucionale dhe shoqërore.
Në këtë drejtim, Kurti përmendi zbatimin e Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026, ku sipas tij mbi 94 për qind e aktiviteteve janë zbatuar ose janë në proces zbatimi.
“Ky emërim forcon përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore. Përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme. Po e trajtojmë dhunën ndaj grave si përgjegjësi të përbashkët institucionale e shoqërore. Përmes bashkëpunimit ndër-sektorial dhe një zinxhiri institucional të fuqizuar, kemi zbatuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026), me mbi 94% të aktiviteteve të zbatuara ose në zbatim”.
“Ndër hapat e ndërmarrë në këto vite janë edhe mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Për periudhën 2021–2025 kemi ndarë 7.3 milionë euro për të forcuar kapacitetet e tyre dhe për shërbime më të mira dhe përkrahje më të qëndrueshme për viktimat”, ka shkruar Kurti.
Kurti, mes tjerash, bëri të ditur se gjatë viteve të fundit është rritur mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Sipas tij, për periudhën 2021–2025 janë ndarë rreth 7.3 milionë euro për forcimin e kapaciteteve dhe përkrahjen e viktimave.
Kurti përmendi edhe masa të tjera institucionale, përfshirë lansimin e Protokolli Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, i cili vendos standarde të qarta për reagimin institucional dhe trajtimin e viktimave.
Tutje, Kurti thotë se është miratuar edhe Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërsa dhuna ndaj grave tashmë është e përcaktuar si vepër penale në Kodi Penal i Kosovës.
