Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025 mbi ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e popullatës. Raporti tregon se ndotja mbetet një problem serioz, që kërkon rregullore më të rrepta dhe investime në teknologji më të pastra.
Sipas IKSHPK-së, ndotja është më e lartë gjatë dimrit, periudhë gjatë së cilës është vërejtur rritje e vizitave dhe pranimve spitalore për sëmundje kardiovaskulare dhe të tjera.
Studimi i OBSH-së tregon se në Prishtinë, shkalla e vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit është 6 persona në 1,000 vdekje.
“Një studim i kryer në Kosovë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbi ekspozimin ndaj PM, dhe pranimet spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare, ku gjetjet e këtij studimi treguan se shkalla e vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit në Prishtinë është 6 persona në 1000 vdekje. Prandaj edhe njëherë u dëshmua se pranimet spitalore janë më të larta gjatë dimrit, gjë që lidhet me koncentrimet e larta të materieve grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5. Andaj për të zvogëluar ndikimin negativ në shëndetin e qytetarëve çështja e aerondotjes kërkon një qasje të integruar që lidh politikat e ngrohjes shtëpiake, transportit dhe industrisë me mbikëqyrje të vazhdueshme për ndotësit kryesor”, thuhet në raport.
Raporti thekson se për të zvogëluar ndikimin në shëndetin e qytetarëve, duhet një qasje e integruar që lidh politikat e ngrohjes shtëpiake, transportit dhe industrisë me mbikëqyrje të vazhdueshme për ndotësit kryesorë.
Qytetet më të ndotura janë Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Gjilani, sipas të dhënave nga 12 stacionet automatike të monitorimit të ajrit.
Edhe pse ka përmirësime, cilësia e ajrit mbetet shqetësuese krahasuar me udhëzimet e OBSH-së, megjithatë prirjet aktuale tregojnë një përafrim me objektivat e BE-së për vitin 2030.