Një person i moshuar është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren, në afërsi të banesave të ish-TMK-së.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se rreth orës 11:36, ka pranuar informacion nga ekipi i Urgjencës për një person të shtrirë në rrugë pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, hetuesit rajonalë dhe ekipi i krim-teknikës. Sipas të dhënave fillestare, bëhet fjalë për një burrë rreth 70 vjeç, i cili ende nuk është identifikuar.
Ekipi mjekësor ka konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë disa orë para mbërritjes së tyre. Deri më tani nuk janë vërejtur shenja që tregojnë për vdekje të dhunshme.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për bashkëpunim me qytetarët, duke kërkuar që kushdo që mund të ketë informacione për identitetin e viktimës të lajmërohet në stacionin më të afërt policor ose në numrin 192.