Një gjykatë në qytetin Aachen të Gjermanisë ka dënuar me tetë vjet e gjysmë burg një burrë që për vite me radhë kishte droguar, përdhunuar dhe filmuar bashkëshorten e tij, duke i publikuar më pas pamjet në internet.
I pandehuri, i identifikuar vetëm si Fernando P, sipas ligjeve gjermane të privatësisë, u shpall fajtor për përdhunim të rënduar, dëmtime të rënda trupore dhe shkelje të privatësisë personale.
Gjykata konstatoi se 61-vjeçari, me origjinë nga Spanja, e kishte sedatuar dhe abuzuar seksualisht bashkëshorten në shtëpinë e tyre për një periudhë disa-vjeçare, nga viti 2018 deri në 2024, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas zëdhënëses së gjykatës, Katharina Effert, burri kishte filmuar aktet e abuzimit dhe i kishte shpërndarë në grupe bisedash dhe platforma online, duke i bërë të aksesueshme për përdorues të tjerë në internet.
Pjesa më e madhe e procesit gjyqësor u zhvillua me dyer të mbyllura për të mbrojtur identitetin e viktimës. Avokatja e saj, Nicole Servaty, tha se gruaja “pati zë të plotë në këtë proces”, duke shtuar se ajo arriti të dëshmojë dhe të shprehë dhimbjen dhe barrën emocionale që kishte përjetuar ndër vite.
“Ky vendim nuk mund ta zhbëjë atë që ka ndodhur,” tha ajo, “por mund të ndihmojë sadopak për ta përballuar dhe përpunuar traumën.”
Vendimi mund të ankimohet ende.
Mediat gjermane e kanë krahasuar këtë rast me çështjen e bujshme në Francë vitin e kaluar, ku Dominique Pelicot u shpall fajtor për drogimin e fshehtë të bashkëshortes së tij dhe lejimin e dhjetëra burrave ta përdhunonin për vite me radhë, ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Sipas Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë (BKA), viktimat e drogave dhe abuzimit seksual pasues janë pothuajse gjithmonë gra, ndërsa këto krime zakonisht ndodhin duke shfrytëzuar besimin në marrëdhënie të afërta si martesa, partneritetet apo rrethi familjar.