Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje që shtetet të dërgojnë anije në Ngushticën e Hormuzit për të mbrojtur anijet tregtare dhe për të lehtësuar furnizimet globale me naftë, por reagimi ka qenë i ngadaltë dhe i rezervuar.
Trump kërkoi nga Britania, Kina, Franca, Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera të dërgojnë anije në ngushticë, duke paralajmëruar se dështimi për të siguruar trafikun detar do të ishte “shumë i keq për të ardhmen e NATO-s”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer tha se po punon me aleatët për një plan të zbatueshëm për të rihapur ngushticën, por nuk do të bëhet një mision i NATO-s.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius refuzoi kërkesën, duke thënë se “kjo nuk është lufta jonë, ne nuk e kemi filluar.”
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut njoftoi se do të komunikojë ngushtë me SHBA-në dhe do të marrë vendim pas shqyrtimi të kujdesshëm, raporton BBC.
Ministri i Mbrojtjes i Japnisë, Shinjiro Koizumi tha se për situatën aktuale nuk po konsiderohet një operacion i sigurisë detare.
Anëtarja e kabinetit të Australisë, Catherine King përjashtoi dërgimin e anijeve luftarake në ngushticë.
Ndërsa, një zëdhënës i Ambasadës kineze në Uashington nuk konfirmoi nëse Pekini do të pranojë kërkesën, por theksoi se të gjitha palët kanë përgjegjësi për të siguruar furnizime energjetike të qëndrueshme dhe të pandërprera.