Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara ka lëshuar të mërkurën një opinion ligjor, duke deklaruar se Izraeli, si fuqi pushtuese, është i detyruar të lehtësojë arritjen e ndihmave humanitare në Gaza në bashkëpunim me agjencitë e OKB-së.
Opinioni ishte kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor, pas vendimit të Izraelit për të miratuar ligje që pengonin UNRWA-n, agjencinë e OKB-së për ndihmë dhe punë me refugjatët palestinezë, të operonte në territorin e Gazës.
Megjithëse opinioni i gjykatës nuk është ligjërisht i detyrueshëm, ai ka peshë politike dhe pritet të rrisë presionin mbi Izraelin që të bashkëpunojë me OKB-në dhe agjencitë humanitare.
“Fuqia pushtuese nuk mund të përdorë arsye sigurie për të ndaluar të gjitha veprimet humanitare,” tha gjyqtari Iwasawa Yuji.
“Pas shqyrtimit të provave, gjykata konstaton se popullsia e Gazës është furnizuar në mënyrë të pamjaftueshme.”