Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka zhvilluar një takim në Nju Jork me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, në margjinat e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme serbe, bisedimet ishin përqendruar në përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh, ngjarjet e fundit në Serbi dhe situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor.
Gjuriq thuhet se ka theksuar nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve duke përsëritur vendosmërinë e Serbisë për të forcuar lidhjet me Federatën Ruse.
Ai ka kujtuar takimin e fundit mes presidentëve të të dy vendeve në Pekin, ku thuhet se është konfirmuar gatishmëria për të ruajtur dhe zhvilluar më tej partneritetin serbo-rus.
Shefi i diplomacisë serbe ka falënderuar Moskën për siç thotë ‘mbështetjen në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë’, duke e vlerësuar këtë qëndrim si jashtëzakonisht të rëndësishëm, veçanërisht në arenën ndërkombëtare përcjell Danas transmeton Dukagjini.
Gjuriq ka shprehur gjithashtu kënaqësi për konsultimet e fundit midis dy ministrive lidhur me bashkëpunimin në kuadër të OKB-së. Në takim tutje thuhet se është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë tek energjia.