Arstiste të mëdha janë bërë bashkë për një koncert që do të ketë një kauzë, mbledhjen e të hyrave nga biletat dhe fonde të tjera të mundshme për Qendrat për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Koncerti i cili do të mbahet të mërkurën nga ora 21:00, do të ketë shumë të ftuar duke filluar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe shumë emra të njohur në fushën e muzikës klasike si soprano, violinë, piano etj.

Profesoresha Besa Luzha, e cila çdoherë është e gatshme për të kontribuar në organizime të tilla me motive artistike dhe humanitare, detajet e këtij eventi i solli në një bisedë me Edita Doli, në emisionin “Radar” në Radio Dukagjini.

Luzha tregoi se të hyrat nga biletat e shitura do të dërgohen tek Qendrat për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit njerëzor.

“Shumë artiste të mëdha jemi bërë bashkë për një kauzë të vetme. T’i dalim në ndihmë sado pak kësaj kategorie të ndishme. Në kohën kur Pandemia dhe lufta në Ukrainë e ka vëshirësuar identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, ne menduam se është pikërisht kjo kategori që ka nevojë për ndihmë. Do të ofrojmë një program të bukur, me artiste të zgjedhura për këtë koncert. Do të ketë vepra premierë dhe vepra të njohura botërisht, një larushi veprash”, theksoi Luzha për Radio Dukagjini.

Ajo njoftoi se koncerti do të mbahet të mërkurën nga ora 21:00 në Klan Arena dhe programi do të transmetohet live në RTK.

Luzha tregoi se pas koncertit do të publikohet edhe llogaria ku qytetarët do të kenë mundësi të kontribuojnë për ndihmë Qendrave për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.