Një grevë e thirrur nga dy konfederatat kryesore të sindikatave në Portugali shkaktoi të enjten ndërprerje të mëdha të udhëtimeve dhe detyroi anulimin e shumë vizitave mjekësore dhe orëve mësimore.
Shumë shërbime qeveritare dhe komunale, përfshirë mbledhjen e mbeturinave, u ndërprenë. Dy grupet sindikaliste, që përfaqësojnë afërsisht një milion punëtorë, thanë se kjo mund të jetë greva më e madhe në mbi 10 vjet, ndërsa kundërshtojnë ndryshimet e propozuara nga qeveria qendër-djathtas në ligjet e punës, shkruan AP, transmeton Dukagjini.
Sipas sindikatave, ndryshimet u heqin punëtorëve të drejta dhe përfitime, ndërsa qeveria argumenton se ato janë të nevojshme për ta bërë ekonominë më fleksibile dhe për të nxitur rritjen.
Propozimet përfshijnë lehtësimin e procedurave të pushimit nga puna, kufizimin e së drejtës për të bërë grevë në sektorë të tjerë ekonomikë si dhe reduktimin e pushimeve për nënat që ushqejnë fëmijët me gji, duke i kufizuar ato vetëm për dy vitet e para të jetës së foshnjës.
Qendra e Lisbonës ishte dukshëm më e qetë se zakonisht, me pak këmbësorë dhe më pak trafik, pasi shumë njerëz u bashkuan me grevën ose zgjodhën të punonin nga shtëpia për të shmangur kaosin në transport.
Në aeroportin ndërkombëtar të Lisbonës, dhjetëra fluturime u anuluan pasi pilotët, stjuardesat dhe punonjësit e bagazheve u larguan nga puna. Aeroporti qëndroi i hapur, por ishte pothuajse i boshatisur.
‘TAP Air Portugal’ operoi vetëm 63 nga 283 fluturimet e planifikuara, në përputhje me nivelin minimal të shërbimit të detyruar me ligj. Linja ajrore kishte paralajmëruar më herët pasagjerët dhe kishte ofruar ri-planifikime të fluturimeve.
Edhe shërbimet hekurudhore dhe ato të autobusëve në mbarë vendin funksionuan me kapacitet minimal. Metroja e Lisbonës njoftoi se e pezulloi shërbimin mbrëmjen e së mërkurës në orën 23:00 dhe se do të rifillojë vetëm të premten në mëngjes.
Sektori privat u ndikua gjithashtu, me kompani prodhimi dhe shpërndarjeje që raportuan largime masive nga puna.
Portugalia ka një nga ekonomitë më të vogla të Bashkimit Evropian dhe punëtorët e saj janë mes më të ulët-paguareve në bllokun prej 27 vendesh. Paga mesatare mujore është rreth 1,600 euro bruto, ndërsa paga minimale – që e marrin qindra mijëra punëtorë – është 870 euro bruto.
Kostot në rritje të jetesës dhe kriza e strehimit po ndikojnë rëndë familjet, ndërsa çmimet e banesave vijojnë të rriten dhe inflacioni qëndron pak mbi 2%.
Komisioni Evropian pret që ekonomia portugeze të rritet me rreth 2% këtë vit, mbi mesataren e BE-së prej 1,4%. Papunësia mbetet nën 6%, afërsisht në nivelin mesatar të unionit.
Sindikatat planifikuan marshime në rrugë gjatë ditës së enjte. Kjo është hera e parë që nga viti 2013 që Unioni i Punëtorëve të Përgjithshëm dhe Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve Portuguez bashkojnë forcat.
Kryeministri social-demokrat Luís Montenegro e quajti grevën “të pakuptimtë”, duke argumentuar se vendi është në gjendje të mirë ekonomike.