Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për t’i dhënë fund fushatës së shpifjeve ndaj gazetarëve, të cilën po e zhvillon një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Gutierrez ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku thekson se Sami Kurteshi e ka përshkruar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) si një “aleancë e grupeve kriminale”.
Ai e ka cilësuar këtë krahasim si të papranueshëm dhe denigrues për një organizatë të respektuar evropiane që mbron të drejtat e gazetarëve dhe gazetarisë.
Sekretari i EFJ-së i bën thirrje kryeministrit Kurti të ndalojë këto veprime intimiduese, duke paralajmëruar se tolerimi i tyre dëmton kredibilitetin e gazetarëve dhe vendit, dhe mund ta bëjë qeverinë bashkëfajtore me këtë lloj praktike.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po dëmtoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj duke lejuar që partia juaj, VV, të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë ju dhe politikëbërës të tjerë përgjegjës. Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje që t’i jepni fund këtij kërcënimi para se të jetë tepër vonë. Kam parë shumë gazetarë të vuajnë nga abuzimi dhe sulmi fizik, shumë shpesh pasi janë denigruar publikisht. Ju keni përgjegjësinë t’i jepni fund këtyre praktikave mafioze. Përndryshe, do të jeni bashkëpunëtorë në to”, ka shkruar ai.
