Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka ndarë përshtypjet e saj pas vizitës në ekspozitën “1991” të fotografit të njohur të luftës, Zoran Filipoviq, e hapur në hapësirën “Hani i 2 Roberteve” në Prishtinë.
Halimi e ka përshkruar ekspozitën si një dëshmi të fuqishme vizuale, që përmes fotografisë bardh e zi shndërron kontrastin mes së zezës dhe së bardhës në dritë, kujtesë dhe reflektim mbi të vërtetën historike.
“Dje, në hapësirën e Hani i 2 Roberteve, vizituam ekspozitën “1991” të fotografit të njohur të luftës Zoran Filipović Zoro, një emër që përmes objektivit të tij ka ruajtur të vërtetën në kohëra kur ajo rrezikohej të humbiste.
Në fotografinë bardh e zi të Filipovićit, kontrasti mes së zezës dhe së bardhës shndërrohet në dritë dhe kujtesë, në rrëfim të njeriut përballë dhunës dhe harresës.
Çdo imazh është dëshmi e asaj që nuk duhet harruar, një kujtesë që shpëton nga fshirja e historisë.
Në një kohë kur harresa bëhet industri, këto fotografi na rikujtojnë se arti është edhe ndërgjegje.
Një ekspozitë që flet me heshtje, por trazon thellë”, ka shkruar Halimi.
