Kryetari i Vitisë dhe kandidati i LDK-së për edhe një mandat, Sokol Haliti, ka deklaruar se mbetet i gatshëm dhe i motivuar për të vazhduar punën në krye të komunës, duke theksuar se përvoja dhe partneritetet e krijuara gjatë viteve të fundit janë një avantazh i madh për zhvillimin e mëtejmë të Vitisë.
Ai theksoi se qeverisja lokale duhet të jetë mbi interesat partiake.
“Ata që mendojnë se udhëheqin me logjik partiake ne institucione e kanë gabim shteti përfaqësimi edhe udhëheqja vërtetë është mbi partitë. Unë jam sikur ditën e parë i freskët, psikofizikisht i përgatitur me kondicion por mbi të gjitha me përvoje edhe me të madhe. Me partneritete të jashtëzakonshëm, këto vitë i kam shfrytëzuar me kriju partneritete miq, avantazhe grande të perfomancave dhe investime nga jashtë”, ka deklaruar Haliti në Debat Plus.
Në Debat Plus, Haliti është ndalur edhe te periudha e pandemisë së COVID-19, duke thënë se ajo ishte një kohë e vështirë për të gjithë.
“Unë atë kohë kisha edhe varrimin e nënës sime. E humba ndjeshmërinë, pasi asnjë pozitë, asnjë kolltuk nuk është më i rëndësishëm se jeta e qytetarit të Vitisë. A dalë apo jo pa balotazh, nuk ka qenë e rëndësishme për mua – kishte rëndësi shëndeti publik dhe puna që kemi bërë bashkë me ekipin tim”, ka thënë Haliti.