Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë ky nuk është fillim i një fushate të re politike, por fillim i një misioni.
Hamza ka thënë se qytetarëve u është rënduar jeta me çmime më të larta, me furnizim të paqëndrueshëm me energji, me institucione në krizë dhe marrëdhënie të lënduara me partnerët tanë.
“Ky nuk është fillim i një fushate të re politike. Ky është fillim i një misioni. I një misioni për ta rikthyer stabilitetin, për ta bashkuar shoqërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje në Kosovë një mundësi për jetë ma të mirë. Në këto vite, vendi ynë ka jetuar në pasiguri. Me shumë përçarje. Shumë improvizime. Shumë presion mbi supet e qytetarëve të zakonshëm”, ka thënë ai.
“Qytetarët janë lodhur nga politikat që ua kanë vështirësuar jetën. Janë lodhur nga kjo qeveri e papërgjegjshme. Nga kjo qeveri e paaftë ta udhëheqë vendin drejt mirëqenies. Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për Kryeministër. Sepse, besoj se mund ta sjellim ‘pjesën që mungon’ dhe ta bëjmë shtetin tonë të funksionojë”, ka thënë ai.
“Le të jemi të qartë: Asnjë vend nuk mund të ecë përpara kur politika bëhet fushëbetejë. Asnjë familje nuk ndihet e sigurt kur shteti nuk ka stabilitet. Asnjë i ri nuk sheh të ardhme këtu, nëse jeta publike dominohet nga përçarja. E provuam përçarjen. E provuam kokëfortësinë. E provuam kaosin. Nuk funksionoi. Tani është koha të provojmë diçka tjetër. Tani është koha ta provojmë BASHKIMIN. Kosova që funksionon fillon me bashkimin e të gjithë neve”, ka shtuar ai.
Hamza: Qytetarët kërkojnë dinjitet, stabilitet dhe politika ekonomike që ua lehtësojnë jetën
Hamza ka vazhduar fjalimin e tij, duke thënë se Kosova që funksionon kërkon qeveri të qëndrueshme dhe efektive.
Ai ka thënë se vendit i duhet një qeveri stabile, që krijon konsensus sa më të gjerë, për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Kudo që shkon, Hamza ka thënë se qytetarët ia thonë të njëjtën gjë: “Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Pagat nuk mjaftojnë. Çmimet po rriten çdo ditë.” “Nuk mund të planifikojmë asgjë për të ardhmen.” “Fëmijët tanë duan të largohen, sepse nuk shohin të ardhme këtu.”
Ai ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të ndihen kështu.
“Ky është realiteti ynë i hidhur! Qytetarët tanë nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë dinjitet. Stabilitet. Politika ekonomike që e lehtësojnë jetën, jo që e vështirësojnë atë. Dhe pikërisht këtë e ofron programi ynë. Platforma jonë nuk është listë premtimesh. Është plan. Një plan koherent, i llogaritur, realist dhe i përgjegjshëm. Një plan i ndërtuar mbi shtylla që do ta zhvillojnë ekonominë dhe do ta rikthejnë shpresën në familjet tona”, ka thënë Hamza.