Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në këtë letër, Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik, njofton Dukagjini.
Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
Tutje, Hamza i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.
“Çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte LVV-së tre anëtarë, do të krijonte një situatë kur tri grupet parlamentare kanë nga një përfaqësues, ndërsa njëra parti dominon me tre. Kjo do të ishte në kundërshtim me germën dhe frymën e Kushtetutës sa i përket KQZ-së. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të veproni në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të secilit subjekt politik dhe integritetin institucional të KQZ-së”, thuhet në letrën e Hamzës drejtuar Osmanit.
Më poshtë e gjeni edhe letrën e dërguar.
