Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar që të thirret urgjentisht seanca për konstituimin e Kuvendit, duke akuzuar pushtetin për zvarritje të procesit për shkak të kalkulimeve politike.
“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij”, ka shkruar Hamza.
Ai ka thënë se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale.
Sipas Hamzës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e zvarrit procesin pasi konstituimi i Kuvendit në këtë fazë nuk i përshtatet kalkulimeve të tij politike.
“Sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë”, ka shkruar ai.
Hamza e ka cilësuar situatën si “kapje brutale të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe degradim të institucionit të të zgjedhurve të popullit”.
Ai ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe nuk mund të trajtohen si rekomandime që respektohen vetëm kur i konvenojnë pushtetit.
“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka deklaruar Hamza.
Në fund, kreu i PDK-së ka paralajmëruar se mbajtja e vendit në atë që e quan “anarki kushtetuese dhe ligjore” për interesa elektorale është e papranueshme.
“Kuvendi duhet të konstituohet tash, menjëherë!”, ka përfunduar Hamza.