Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza i ka prezantuar planet për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, që të jemi në hap me kohën.
Ai ka premtuar modernizimin e infrastrukturës mbrojtëse dhe krijimin e Gardës Kombëtare të Kosovës, një forcë operative, e shpejtë dhe e pajisur sipas standardeve të NATO-s, e gatshme për emergjenca, siguri dhe misione ndërkombëtare.
Hamza ka theksuar se integrimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian nuk ka alternativë.
“Do ta modernizojmë infrastrukturën mbrojtëse të vendit që Kosova të jetë e përgatitur për çdo kërcënim, të brendshëm e të jashtëm. Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, forcë operative, e shpejtë, e pajisur sipas standardeve të NATO-s. E gatshme për emergjenca, siguri dhe pjesëmarrje në misione ndërkombëtare. Anëtarësimi në NATO e në BE për ne nuk ka alternativë. Prandaj do të thellojmë partneritetin me NATO-n. Do të punojmë që sa më parë të bëhemi pjesë e Partneritetit për Paqe. Do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA, që sa më shpejt të arrijmë te Marrëveshja Strategjike me SHBA. Dhe po, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ta marrim statusin e Kandidatit në BE.
Kosova do të ecë drejt Evropës si shtet i pjekur dhe i besueshëm”, ka thënë Hamza.
“Bashkë fitojmë, Kosova do të ecë përpara”
Kandidati i PDK-së për kryeministër ka thënë se ky është vizioni dhe premtimet e tij.
“Ky është plani që do ta çojë Kosovën përpara. Me stabilitet brenda dhe kredibilitet jashtë, Kosova më në fund do ta marrë vendin që i takon në familjen evropiane. A pajtohemi të gjithë me këtë agjendë? A i bashkojmë forcat, që ta bëjmë së bashku ndryshimin? Sigurisht që po, sepse ne mundemi dhe BASHKË do ta arrijmë këtë”, ka thënë Hamza.
Ai ka theksuar se Qeveria e tij do t’i përfshijë të gjitha forcat politike që janë të gatshme të ecin bashkë, përpara.
“Prandaj plani ynë është plan i qytetarëve. Një plan që ju ftoj të gjithëve ta mbështesni. Le ta sjellim pjesën që mungon, që t’i kompletojë aspiratat dhe shpresat tona. Le t’i bashkojmë përpjekjet për ta ndërtuar një Kosovë që funksionon për të gjithë”, ka thënë ai.
“Një Kosovë të mundësive. Një Kosovë stabiliteti. Një Kosovë drejtësie. Një Kosovë shprese. Një Kosovë që na bën bashkë dhe nuk e lë askënd pas! Bashkë. Përpara. Bashkë do të fitojmë. Kosova do të ecë përpara. Faleminderit të gjithëve”, ka përfunduar Hamza.