Hamza: S’kemi kandidat për president pa marrëveshje paraprake

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se ende nuk ka arritur marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Para nisjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, Hamza tha se deri më tani nuk është propozuar asnjë emër konkret për kandidaturën presidenciale, duke theksuar se diskutimet kanë qenë vetëm në parim.

 “Jo nuk ka marrëveshje. S’kemi propozuar se s’kemi mbërri fare deri te propozimi. Ne kemi folur parimisht, kemi dashur me pasur vendi një president, urojmë që të ketë president. Ne kemi kërkuar që paraprakisht të dakordohemi që presidenti të zgjidhet i propozuar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një emër dinjitoz shumë, që s’do të thotë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, po mund të jetë edhe jashtë strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, që i ka atributet dhe kualitetet që duhet t’i ketë një president“, tha ai.

Ndërkohë, Hamza ka deklaruar se PDK-ja ende nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në ndonjë seancë të Kuvendit lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Të fundit nga rubrika