Në Egjipt është hapur muzeu arkeologjik më i madh në botë, i dedikuar një qytetërimi të vetëm, pranë njërës prej Shtatë Mrekullive të Botës së Lashtë – Piramidës së Madhe të Khufusë në Giza.
Muzeu përmban rreth 100 mijë artefakte, që shtrihen përgjatë shtatë mijëvjeçarëve të historisë egjiptiane – nga periudha para-dinastike deri te epokat greke dhe romake.
Për herë të parë që nga zbulimi i vitit 1922, publiku do të ketë mundësinë të shohë varrin e paprekur të mbretit Tutankhamun, përfshirë maskën e tij të artë, fronin mbretëror dhe varkën funerare 4500-vjeçare të Khufusë. Ndër atraksionet më mbresëlënëse janë obelisku 3200-vjeçar i faraonit Ramses II dhe statuja monumentale 11 metra e lartë e tij.
Sipas egjiptologëve, ky muze përforcon kërkesën e Egjiptit për kthimin e antikiteteve të mbajtura jashtë vendit, si Guri i Rosettës që ndodhet në Muzeun Britanik.
Edhe pse një pjesë e galerive ishte hapur që nga viti i kaluar, ekspozimi i plotë i koleksionit të Tutankhamunit pritet ta shndërrojë muzeun në një destinacion ikonik për turistët nga e gjithë bota.
Pas 20 vitesh ndërtim dhe me një kosto prej rreth 1.2 miliard dollarësh, muzeu pritet të tërheqë deri në 8 milion vizitorë në vit, duke i dhënë një shtysë të re industrisë së turizmit egjiptian, e cila është goditur nga krizat rajonale.