Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke vlerësuar lart rolin dhe vizionin e tij shtetformues në periudhat më vendimtare për vendin.
Përmes një shkrimi përkujtimor, Haradinaj ka theksuar se ka pasur nderin të bashkëpunojë me Rugovën në ditët e para të lirisë së Kosovës.
“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit. Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj.