Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të moscertifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit është kritikuar nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Hasani e ka quajtur këtë vendim “arbitrar” dhe të pambështetur në asnjë dispozitë ligjore.
Sipas tij, KQZ-ja nuk kishte asnjë të drejtë ligjore t’i pamundësonte Listës Serbe certifikimin për zgjedhje, pasi partia vazhdon të jetë e regjistruar zyrtarisht në regjistrin e partive politike.
Hasani theksoi se ky është kriteri themelor që garanton pjesëmarrjen në zgjedhje, për sa kohë partia nuk është çregjistruar.
“Në momentin kur partia regjisoret në regjistrin e partive politike, nëse ajo aplikon për zgjedhje, në asnjë mënyrë nuk mund t’i mohohet e drejta që të certifikohet, nëse eventualisht nuk është çregjistruar nga regjistri i partive politike. Edhe nëse është regjistruar ka mundësi të çregjistrohet nëse ndërkohë ndërton programe që bien ndesh me nenin 14 të ligjit për zgjedhjet qendrore në Kosovë. Domethënë në rastin konkret nuk ka pas asnjë mundësi që të mos certifikohet, për faktin se nuk janë plotësuar këto kushte. Domethënë ekziston akoma si parti e regjistruar legalisht në regjistrat e partive politike. Dhe shpeshherë e dëgjojmë që gjykatat, por nuk është punë e gjykatës që mund ta çregjistroj një parti. Partinë mund ta çregjistroj vetëm KQZ-ja nëse eventualisht, ndërkohë ka ndërtuar programe që bien ndesh me nenin 14 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës…”, ka thënë Hasani.
Hasani shpjegoi qartë se nëse se asnjë nga kushtet nuk është përmbushur në rastin e Listës Serbe, ndaj vendimi i KQZ-së për moscertifikim është jashtë kompetencave të saj.
Ai nënvizoi se gjykatat nuk kanë mandat për të çregjistruar një parti politike, e vetmja që mund ta bëjë këtë është KQZ-ja, nëse ekzistojnë shkeljet e përcaktuara në ligj.
“Ka mund ta çregjistroj nëse eventualisht ka ndërruar programim partia. Dhe në programet e reja ka përmbajte që cenohet rendi kushtetues i Kosovës. Cenohet diversitet etnik, kulturor e fetar. Cenohet siguria. Vetëm në ato situata ka mundur ta çregjistroj nga regjistri i partive politike. I vetmi komisioni që mund ta vë jashtë ligjit këtë është KQZ. KQZ-ja e ka regjistruar dhe KQZ-ja e çregjistron. Dhe në momentin e çregjistrimin ajo vihet jashtë ligjit dhe nuk ka çka lyp në garë. Derisa nuk çregjistrohet nga regjistri i partive politike nuk mund t’i mohohet e drejta për të marrë pjesë në garë. Nuk ka bazë ligjore për të mos e certifikuar”, ka thënë Hasani.
Kujtojmë se Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili në dy raste të mëparshme ka rrëzuar vendimet e KQZ-së për çështje të ngjashme.