Haxhiu: Opozita po e konsideron Kushtetuesen si një aleat, e sheh si shpëtim për mosjetësim të reformave

Opozita po e konsideron Gjykatën Kushtetuese si një aleat, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke akuzuar opozitën dhe sistemin e drejtësisë si kundërshtarë të reformave në drejtësi, ka thënë se partitë opozitare e konsiderojnë Gjykatën Kushtetuese si aleate dhe e shohin si shpëtim për mosjetësim të reformave.

“Opozita po e konsideron Gjykatën Kushtetuese si një aleat. Dhe jam kundërshtuar shumë me këtë deklaratë, sidomos nga opozita, por jo vetëm. Është goxha interesante se si opozita e sheh si shpëtim Gjykatën Kushtetuese për mosjetësim të reformave. Duke pasur parasysh që në kuvend nuk e kanë shumicën, përkundër faktit që nuk e kanë shumicën unë vazhdimësi ju kam bërë thirrje që nëse konsiderojnë që një nen, një rregullim, një çështje nuk është rregulluar në mënyrën se si do të duhej atëherë të bëjnë amendamente. Nuk ndodh që të bëjnë amendamente në projektligje”, ka thënë ajo në një intervistë për KosovaPress.

Në disa raste dërgimi i ligjeve nga opozita në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim ka bërë që të rrëzohen ligjet e proceduara nga Qeveria. Janë edhe disa ligje të tjera që po presin vlerësim të Kushtetueses.

Haxhiu në këtë intervistë ka thënë se reformat nuk kanë mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe ai prokurorial.

“Po vazhdon kjo nga viti në vit, unë besoj që kështu do të përfundoj mandati im si ministre e Drejtësisë, për faktin se reformat, të cilat ne i kemi nisur si Ministri e Drejtësisë, duket që për të njëjtat nuk ka mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me theks nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Mendoj që të gjitha veprimet të cilat i kam bërë në këtë drejtim, gjegjësisht komunikatat kundër Ministrisë së Drejtësisë apo kundër deklarimeve të mia apo çfarëdo tjetër që ka mundur të bëj KPK-ja dhe KGjK-ja kanë pasur për qëllim që të pengojnë reformat të cilat i ka nisur Ministria e Drejtësisë. Unë e kuptoj që ata mund të kenë qëndrimin e tyre në raport me çështjet, por unë besoj që është shumë e rëndësishme që ata ta kuptojnë që problemi ekziston. Problemi ku kemi mungesë besimi të qytetarëve në institucione është evident. Problemi ku kemi sistem të drejtësisë, i cili konsiderohet i pavarur vetëm në letër, po ashtu ekziston”, ka deklaruar ajo.

Problemet më të theksuara, siç thekson Haxhiu, janë brenda sistemit prokurorial të Kosovës. Ajo konsideron se në konkurset e fundit janë shpërfaqur haptazi pazaret.

“Nuk ndodh rrallë herë, pra është jashtëzakonisht e shprehur që kur hapen konkurse për pozita të rëndësishme brenda sistemit prokurorial dhe po e veçoj, në veçanti po flas për sistemin prokurorial, sepse është problemi më i theksuar dhe është evident dhe pazaret duken sheshit. Kur dihen emrat se kush do të jetë në krye të institucioneve ende pa u shpallur konkurset. Dhe kështu ka ndodhur edhe me proceset e fundit. Ta zëmë ka ndodhur edhe me zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit në të kaluarën, ku ishte një proces që u kundërshtua nga gjithkush që e monitoroi këtë sistem dhe mënyra se si këshilli veproi në raport me atë çështje u kundërshtua fuqishëm nga gjithë partnerët, nga shoqëria civile, nga ne po ashtu. Por, po ashtu edhe në pozitat e fundit që kanë zgjedhur qoftë kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë apo për atë të Prokurorisë Speciale. Për mua nuk është çështje e cila nuk duhet diskutuar që për një pozitë që është kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ketë vetëm një kandidat, ndonëse kanë mundur që të kandidojnë më shumë se 50”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka thënë se opozita ka zgjedhur ta pengojë reformën në drejtësi.

“Unë kam përshtypjen që dëshiron të ruajë interesat e tyre që i ka për brenda njerëzve që i ka brenda sistemit prokurorial, të cilët edhe mund t’iu shërbejnë atyre, sepse në të kaluarën ne e kemi parë se si janë vendosur në pozita kyçe njerëzit me lidhje, me telefonata, me ndikime. Prandaj edhe opozita ka përpjekje konsideroj që të ruajë pozitat e tyre dhe të mos bëjë asnjë reformë në kuadër të sistemit prokurorial. Në këtë drejtim ne veçse e kemi opinionin e tretë të Komisionit të Venecias. Konsideroj që duhet të përbashkohemi rreth zbatimit të tij”, ka thënë Haxhiu.

Ajo është ankuar edhe për vonesat e Kushtetueses në marrje të vendimeve. Ka shtuar se Kodi Civil është e rëndësishme që të kalojë. Ka thënë se ky kod duhet të riprocedohet në Kuvend pasi të ketë siguri se do të kalojë.

Haxhiu ka përmendur edhe rastin e Astrit Deharit, ku thotë se përgjegjës, siç shprehet ajo, të vrasjes më të rëndë në Kosovë, janë të gjithë ata që kanë qenë para shtatë vjetëve në qeveri.

“Konsideroj që është shumë e rëndësishme drejtësia për rastin Dehari. Drejtësia para se gjithash është borxh për familjen Dehari, për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vetë jetën e Astrit Deharit dhe veprimtarinë e tij. Nuk mund thjesht të ketë një neglizhencë një krimi të rëndë, siç ka ndodhur ndaj Astritit, por me qasjen që kemi parë deri më tani në qoftë se nuk ka ndryshim dhe ekipe profesionale që do ta trajtojnë këtë rast, natyrisht që nuk mund të jem optimiste. Prandaj pres që kjo të ndryshohet në kuptimin që të kemi drejtësi për rastin Dehari”, ka thënë ajo.

Për 2024, Haxhiu ka thënë se do të nisë me procedimin e ligjeve që “ndërlidhen me reformën e dytë në sistemin e drejtësisë”.

“Pra, atë që e përmenda me fuqizimin e mekanizmave brenda sistemit që ndërlidhen me integritetin, disiplinën, transparencën, parandalimin e konfliktit të interesit, deklarimin e pasurisë, llogaridhënien, efikasitetin dhe të tjera. Konsideroj që këtu po bëhet një punë jashtëzakonisht e vlefshme nga përfaqësuesit e institucioneve por edhe nga ekspertët që po na mbështesin”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë është zotuar se brenda mandatit të saj do të jetësohen premtimet e qeverisë për sistemin e drejtësisë./KP

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika