Heqja e fusnotës vlerësohet hap pozitiv për Kosovën

Vendimi i Komitetit të Rajoneve të BE-së për të hequr fusnotën dhe asteriskun nga emërtimi `Kosovo` në dokumentet e tij zyrtare, po vlerësohet si një hap i ri në drejtim të konsolidimit të përfaqësimit të Kosovës në institucionet e Parlamentit Evropian. Sipas njohësve të integrimeve, ende mbetet punë për t’u bërë që fusnota të hiqet plotësisht edhe nga institucionet e tjera evropiane.

Emërtimi Kosovo me fusnotë nuk do të përdoret më nga Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian. Ky institucion ka marrë vendim që të heqë asteriskun (*) dhe fusnotën nga dokumentet e tij zyrtare, me qëllim harmonizimin e terminologjisë me atë që përdor Parlamenti Evropian. Fusnota ishte përdorur që nga viti 2012 në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbia të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ky veprim është një zhvillim shumë i mirë dhe i shumëpritur që përbën një hap të rëndësishëm përpara në fuqizimin dhe afirmimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

E kryeministri Albin Kurti e krahasoi fusnotën me shkrirjen e një fjolle bore.

“Unë besoj që në Bruksel është atmosfera pozitive që Kosova të bëjë hapa përpara dhe dy hapat më të rëndësishëm në vijim janë pyetësori prej Komisionit Evropian dhe statusi i vendit kandidat. Tash është presidenca e Qipros në BE. Prej 1 korrikut fillon presidenca e Irlandës”, tha Kurti.

Vendimi është mirëpritur nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca. Sipas tij, ky hap harmonizon praktikën e këtij institucioni me emërtimin zyrtar që përdoret nga Parlamenti Evropian dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Ne mirëpresim vendimin e Komitetit të Rajoneve për të ndërprerë përdorimin e “Kosovo*” dhe fusnotës shoqëruese në dokumentet e tij publike. Ky hap e rreshton Komitetin me Parlamentin Evropian dhe pasqyron një qartësi më të madhe institucionale sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë, njohës të integrimeve evropiane vlerësojnë se ndonëse ky vendim është pozitiv, mbetet ende punë për t’u bërë që fusnota të largohet edhe nga institucione të tjera evropiane.

“Pa njohjen e pesë shteteve ky proces ngadalësohet sepse po flasim për situacione dhe struktura të ndryshme, kjo nuk do të thotë që me ditën e sotme ne më nuk do ta shohim fusnotën askund. Jo, por megjithatë është një hap pozitiv, ka pasur edhe hapa të tjerë pozitiv në të kaluarën, ka shkuar duke u reduktuar përdorimi i fusnotës sepse është një nonsens”, tha Valon Murtezaj, profesor i negocimit ndërkombëtar.

Ndërkaq, Emrush Ujkani thekson se fusnota ishte e panevojshme nga fillimi, ndonëse sipas tij, nuk e ka penguar Kosovën në agjendën e saj.

“Nuk besoj që prezenca e asteriskut ka pengu Kosovën në avancimin e agjendës evropiane veçanërisht nëse i referoheni qoftë përfitimeve të ndryshme, qoftë qasjes në programet e Bashkimit Evropian, nuk është që ajo ka pengu në këtë drejtim, sidoqoftë është një fitore e mirë veçanërisht në ato vende që nuk e njohin Kosovën, sado që disa kanë fillua t’i relaksojnë ato qëndrimet e veta “, tha Emrush Ujkani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas marrëveshjes së arritur në vitin 2012, palët u pajtuan që Kosova të marrë pjesë në organizata dhe nisma rajonale. Në dokumente përdorej forma “Kosovo*”, ndërsa në fund të dokumentit vendosej fusnota shpjeguese./RTK

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika