Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, së bashku me gjeneralin Bashkim Jashari, kanë marrë pjesë në një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë pritur nga gjenerali Daniel R. Hokanson, me të cilin biseduan rreth arritjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) dhe avancimin e FSK-së në Kuvajt.
Kështu gjenerali Hokanson ka premtuar vazhdimin e bashkëpunimit përmes Programit të Partneritetit Shtetëror, ndërinstitucional në fushën ushtarake dhe sferat e tjera.
“Gjeneral Hokanson, premtoi vazhdimin e bashkëpunimit përmes Programit të Partneritetit Shtetëror, ndërinsitucional, në fushën ushtarake dhe në sferat tjera”, thuhet në njoftimin e ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ndër të tjera, Mehaj ka theksuar se temë e bisedës ka qenë edhe siguria në vend dhe rajon, si dhe kontributi që mund të ofroj FSK-ja dhe qeveria e Kosovës në këtë drejtim.
“Biseduam rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, si dhe kontributin që mund të ofroj FSK dhe qeveria e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, si partnere e besueshme e ShBA-së”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka bërë të ditur se në takim e ka njoftuar gjeneralin Hokanson, që FSK-ja është e gatshme të ofroj trajnime dhe mbështetje për refugjatët ukrainas, pasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe për refugjatët afganë.
“Në situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, shpreha edhe njëherë gatishmërinë e FSK-së për të ofruar trajnime në fushën e kërkim-shpëtimin, deminimit, si dhe mbështetjen e pakursyer në misione humanitare për transportimin e ndihmave si dhe refugjatëve ukrainas, ashtu siç për muaj të tërë kemi asistuar në misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëve afganë”, ka theksuar tutje Mehaj.
Mehaj njëashtu ka bërë të ditur faktin se stërvitjet e përbashkëta me Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikësjanë përvojë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Stërvitjet e përbashkëta me Forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përvojë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërsa pjesëmarrja e FSK-së në misione humanitare dhe paqeruajtëse jashtë vendit është obligim ndaj njerëzimit, lirisë së pamohueshme dhe aleancës ndërmjet popujve me qëllim ruajtjen e paqes dhe të sigurisë së përgjithshme. FSK do të jetë gjithmonë përkrah ushtrisë amerikane!”, ka përfunduar Mehaj në postimin e tij.