Avdullah Hoti ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit 2020, me të cilin ishte rrëzuar Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja.
Ai ka thënë se është i bindur se ky aktgjykim do të mbetet “njollë” në historinë e Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje edhe integritetin dhe paanshmërinë e njërit prej gjyqtarëve.
“Për emrin e përveçëm, unë i kam dhënë vlerësimet e mia, i kam dyshimet e mia. Ai personi i mungon integriteti i nevojshëm për ta përmbushur atë kusht elementar që është paanshmëria në vendimmarrje dhe balanca e institucioneve”, tha Hoti në “Debat Plus”.
Hoti ne “Debat Plus” shtoi se, sipas tij, që nga viti 2015, në zhvillime të rëndësishme politike në Kosovë, ky person kryesisht ka mbajtur anën e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jam i bindur që në aktgjykimin e dhjetorit 2020, me të cilin është rrëzuar Qeveria e LDK-së, nuk ka ekspert të së drejtës kushtetuese që thotë se ai aktgjykim nuk do të mbetet njollë në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Hoti.
Ai theksoi se gjyqtari në fjalë kishte qenë gjyqtar raportues në këtë rast dhe kishte rol të rëndësishëm në procesin e shqyrtimit të lëndës.
“Ai ka qenë gjyqtar raportues. Ai e shqyrton lëndën dhe bën propozimin e parë të lëndës, e propozon aktgjykimin. Ai e ka prirë atë proces”, tha Hoti.
