Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij ka nevojë urgjente për një konventë të madhe.
Sipas Hotit, në këtë konventë duhet të mblidhen të gjitha strukturat e LDK-së, me qëllim që të përcaktohet ekipi që do ta udhëheqë partinë drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.
“LDK-ja ka nevojë urgjente për një KONVENTË të madhe, për një PAJTIM të madh, për të qartësuar rrugën tonë përpara. Në këtë KONVENTË duhet të mblidhen të gjitha strukturat dhe i gjithë potenciali i LDK-së: anëtarët e Kuvendit Qendror të LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Grupi Parlamentar, kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e LDK-së në kuvendet komunale, Forumi i Gruas dhe Forumi Rinor”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai ka theksuar se konventa duhet të shërbejë si një moment i ri për LDK-në dhe të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme.
“Konventa duhet të jetë një BASHKIM i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar ai.
Hoti ka thënë se një nga qëllimet kryesore të kësaj konvente duhet të jetë rikthimi i besimit brenda partisë, të cilin e ka cilësuar si parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore.
