Hoti-Muratit: Nuk e ke pasur idenë që kanë për t’iu dyfishuar qytetarëve faturat

Në Komisioni për Buxhet ku po raporton ministri i Financave, Hekuran Murati, lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të tatimit në pronë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimet e tij, duke thënë se një veprim i tillë do të duhej paralajmëruar më herët

(Në të majtë) Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati (në të djathtë)
(Në të majtë) Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati (në të djathtë)

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ka pasur idenë se qytetarëve do t’iu dyfishohen faturat.

Aktualisht, ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë. Gjatë kësaj, deputeti Hoti ka thënë se nuk është aty për ta adresuar fajin dhe se shqetësimin e ka diku tjetër.

“Nuk jemi këtu për të adresuar fajin. Ajo çka më shqetëson mua është mënyra se si jeni duke menaxhuar këtë proces. Fakti që njerëzit u informuan para tre ditësh dhe gjithashtu në buxhet nuk është fare e reflektuar hyrja e të rriturave të komunave. Ti se ke pas idenë që në janar kanë për t’iu dyfishuar faturat. Është dashur tre muaj më herët të ketë fushatë vetëdijesuese. Ata e kanë kuptuar më 23 janar që do t’iu rritet fatura. Për këtë arsye jemi duke drejtuar gishtin kah ju, për menaxhim të situatës”, ka deklaruar Hoti.

Hoti ka thënë se ngarkesa që u është bërë qytetarëve nuk ka logjikë, dhe se ligji duhet të ndryshohet.

“Kjo ngarkesë nuk ka asnjë logjikë për ta paguar, afati është deri më 15 prill, deri atëherë duhet të merret zotim që ta ndryshojë ligjin, ju do ta keni përkrahjen tonë”, ka deklaruar ai.

Hoti ka kritikuar Muratin duke thënë se përveç se qytetarët do ta paguajnë tatimin dyfish, do ta paguajnë pa e ditur pagën, duke i rikujtuar Muratit mospublikimin e koeficientit të pagës.

“Ti u ke çuar njerëzve dyfish tatimin në pronë, por më 1 shkurt do ta marrin pagën, ai s’e di sa do ta ketë pagën se nuk ua ke caktuar koeficientin ende”, ka deklaruar ai.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se tatimi në pronë është tatim, i cili mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për komunat. Krahas kësaj, e njëjta kishte bërë të ditur se nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar.

“Vlen të theksohet se në vitin tatimor 2023, nuk zbatohet zbritja e përgjithshme për tokat, pasi tanimë kemi hyrë në vitin e 5-të të tatimimit të tokave. Nga ky vit, të gjitha tokat rezidenciale, komerciale, industriale dhe pyjore tatimohen me 100% të vlerës së vlerësuar, për dallim nga viti i kaluar ku është zbatuar zbritja e përgjithshme prej 20%, ku tokat janë tatimuar me 80% të vlerës së vlerësuar”, kështu kishte deklaruar Ministria e Financave.

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika