Hyn në fuqi vendimi i ri për targat, gjendje e qetë në Veri

Ndonëse, tashmë kanë hyrë në fuqi “masat e qortimit”, situata në Veri raportohet të jetë e qetë

Pamje nga Mitrovica Veriore





Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS, tashmë ka hyrë në fuqi.

Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.

Duke nisur nga një nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.

Ndonëse, tashmë kanë hyrë në fuqi “masat e qortimit”, situata në Veri raportohet të jetë e qetë.

Ekipi i RTV Dukagjinit, që po qëndron në Mitrovicën Veriore për të parë nga afër gjendjen aktuale, ka raportuar se në mbrëmjen e 31 tetorit, ka pak qarkullim të veturave dhe njerëzve në rrugët e kësaj pjese të Kosovës.

Marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011, në Bruksel.

Automjetet me targat serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si PR, KM, GL, e të tjera, është dashur të regjistrohen sërish në RKS ose me status neutral – KS.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë serbe që jetojnë në katër komunat në Veri të Kosovës, kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Të njëjtat lëshoheshin nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS.

Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme për të cilat kanë paguar rreth pesë euro, të vlefshme për 60 ditë.

Me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjera të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator të po të njëjtit vit, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese.

Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Por, unioni ndërkombëtar u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më një shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Deri te marrëveshja për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Borrell kishte thënë se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova, dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.

Edhe pse targat serbe në Kosovë konsiderohen si të paligjshme, ato deri më tani janë toleruar në Veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe një gusht, serbët lokalë në Veri të Kosovës kishin vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit.

Por, me kërkesë të ndërkombëtarëve, vendimi për zbatimin e tyre ishte shtyrë për një shtator.





Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika