I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka arritur në Rusi, ku pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar propozimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Sipas BBC-së, vizita e Witkoffit vjen një ditë pas takimit që ai zhvilloi në Oslo me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në bisedime që një zyrtar amerikan i cilësoi si “produktive dhe konstruktive”.
Takimet po zhvillohen në një kohë kur Uashingtoni, Kievi dhe aleatët evropianë po diskutojnë hapa të mundshëm drejt përfundimit të luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Pas bisedimeve në Oslo, Zelensky deklaroi se shkëmbimi i të dhënave të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara për sulmet raketore ruse tashmë po funksionon.
“Jemi mirënjohës që inteligjenca po funksionon tani”, tha Zelensky, duke iu referuar paralajmërimeve të hershme që u mundësojnë autoriteteve ukrainase të njoftojnë qytetarët për sulmet e mundshme, përfshirë ato me raketa balistike.
Më herët, Kievi kishte akuzuar Uashingtonin për kufizimin e qasjes në informacione të rëndësishme të inteligjencës, pretendime që pala amerikane i kishte kundërshtuar.
Zelensky tha gjithashtu se shpreson për rezultate pozitive lidhur me qasjen e Ukrainës në rrjetin satelitor Starlink të kompanisë SpaceX, pasi ushtria ukrainase kishte raportuar kufizime të shpejtësisë në platformën që përdor për operacionet me dronë kundër Rusisë.
Zelensky: Rusia duhet të përgjigjet ndaj propozimeve për paqe
Presidenti ukrainas dhe aleatët e tij evropianë kanë theksuar se tashmë i takon Moskës të reagojë ndaj propozimeve të diskutuara në Oslo.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i cili mori pjesë në bisedime, tha se ishte shënuar “përparim i vërtetë” në diskutimet për arritjen e paqes, por paralajmëroi se procesi do të kërkojë durim.
Një zyrtar amerikan i përshkroi bisedimet si shumë produktive dhe konstruktive, duke theksuar se SHBA-ja, Ukraina dhe Evropa kanë arritur një nivel të lartë pajtueshmërie për hapat e ardhshëm.
Në takimin e së martës mori pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit dhe një prej të dërguarve të tij, përmes video-lidhjes.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk kishte komentuar publikisht zhvillimet e fundit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kishte deklaruar më herët se Kremlini do të dëgjojë propozimet e Witkoffit, por përjashtoi mundësinë e “çfarëdo lëshimi politik”.
Trump kërkon marrëveshje, ndërsa tensionet me Kievin vazhdojnë
Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar javëve të fundit. Trump ka kritikuar udhëheqjen ukrainase dhe ka deklaruar se Ukraina duhet të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Pas takimit në Oslo, presidenti amerikan përsëriti se dëshiron që Kievi të arrijë një marrëveshje, duke thënë se Rusia dëshiron që lufta të përfundojë.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se Ukraina është partnere e SHBA-së në disa fusha, por se dy vendet kanë edhe interesa të ndryshme. Ai ka përmendur si shembull sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.
Vance ka theksuar gjithashtu se Ukraina nuk është anëtare e NATO-s dhe se, sipas tij, nuk duhet të bëhet pjesë e aleancës.
Nga ana tjetër, Zelensky deklaroi se Ukraina është e gatshme për negociata, por theksoi se vendi po humb jetë njerëzish për shkak të sulmeve ruse.
Ai bëri të ditur se në bisedimet në Oslo u diskutuan edhe garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe propozimet për një armëpushim në sektorin energjetik.
Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, i cili gjithashtu mori pjesë në takime, theksoi se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo diskutimi për mënyrën se si mund të përfundojë lufta.
Sulmet ruse vazhdojnë, raportohet për viktima të reja
Ndërsa po zhvillohen përpjekjet diplomatike, sulmet ruse ndaj Ukrainës kanë vazhduar.
Sipas zyrtarëve ukrainas, të paktën dhjetë persona u vranë të martën nga sulmet me dronë: katër në Kiev dhe rajonin përreth, katër në rajonin lindor të Donjeckut dhe dy në qytetin qendror të Dnipros.
Një tjetër sulm gjatë natës së së mërkurës la të vrarë edhe dy persona pranë Harkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit ukrainas.