25 vjet në kërkim të drejtësisë – Intervistë me Bashkim Delinë, të mbijetuarin e masakrës së Abrisë

I mbijetuari i Masakrës së Abrisë, Bashkim Delia i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale dhe Institucioneve të Kosovës për zbardhjen e krimeve serbe

Pamje nga Masakra e Abrise, 26.09.1998

“Askush që 25 vjet deri më sot nuk është gjykuar as nuk është zënë nga autoritetet apo institucionet tona. I bëjë thirrje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të shtetit tonë të jemi në lëvizje”.

Këto janë fjalët që i mbijetuari i vetëm i moshës madhore, Bashkim Delia ua drejton organeve të shtetit lidhur me masakrën e Abrisë, e cila ka ndodhur me 26 shtator të vitit 1998, nga forcat paramilitare serbe.

Në këtë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe.

Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Të gjithë ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi.

Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane.

“Masakrat e Reçakut dhe e Abrisë janë të argumentuara me video”

Bashkim Delia, thotë se nëse do ketë drejtësi, ai dhe familjarët e tjerë të familjes Deliu do të jetojnë me dhimbje lehtësuar që e kanë tash e 25 vite.

“Sa të jemi gjallë, unë, kusheriri, familja që jemi  shtuar të mbijetojmë, të lehtësojmë dhimbjen. Me pa ndonjë kriminel të dënuar. Një padi, ka nis diçka shteti, kërkojmë të bëhet sa me shpejt”, ka shtuar Delia.

Madje, ai ka bërë të ditur se kjo masakër dhe ajo e Reçakut janë dy nga masakrat më të argumentuara me fakte, saktësisht me video se çfarë kanë bërë forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kujtoj tmerr! Sot 25 vjetori i familjes Deliaj”

Bashkim Delia, ekskluzivisht për portalin Dukagjini ka kujtuar në detaje krejt ngjarjen e 26 shtatorit të 1998-së.


Ai ka thënë se “kujtoj tmerr, sot 25 vjetori i familjes Deliaj. Në malin ku ka ndodhur krimi prej forcave serbe, kriminelëve serbë, kujtoj tmerr që vetëm unë e di se si kam mbijetuar. Nuk i besoj vetës kur më kujtohet se si kam shpëtuar. Çfarë forcash serbe kanë ardhur atu, çfarë armatimi. Jam kanë me rob, me familje teme, me familje të Imerit”.

Tutje, Delia ka treguar rreth të mbijetuarve, duke thënë se ai ka qenë rreth moshës 21 vjeç “ndërsa Besniku, 5 vjeç si dhe tre fëmijë rreth moshës 2-3vjeç sa kanë filluar të ecin”.

“Kur kam ikë  prej , ka qenë koha prej tre minutave distanca mem nxan edhe mu. Kam hy në një mal ne i thojmë Mbyllen, Ngucat. Janë disa vorre, është një lagje e Moliqëve. Jam hi në therra të Nucatit. Aty kam ndejt deri sa është terru, nuk kam guxu me e ngrit as kokën e as trupin lart”, ka kujtuar ai se si kishte mbijetuar nga masakra e zhvilluar në Abri të Epërme.

Madje ai rrëfen, se dy ditë pasi që ka ndodhur masakra, ka shkuar te vendi i ngjarjes me Imer Deliun, ku të dytë së bashku kanë pasur familjarët e tyre aty.

“Tmerri i parë me sy nga Bashkim dhe Imer Delia”

Delia kujton se si dy netë ka qëndruar te  fshati Bezhenik, fshat i cili është mes Skenderajit dhe Drenasit, teksa insistonte medoemos të shkonte tek vendi i ngjarjes.

“Jam shku tek një lagje mes Skenderajit dhe Drenasit, Bezhenik i thojmë, kam bujtë dy netë. Jam mundu me hy tek familja por nuk kam mujtë. Se forcat serbe, Obri-Likoc, ku u kanë shtabi i përgjithshëm e kane blloku krejt. Që thojnë “lepuri ska mujt me tropu atu pa u pa. Ditën e dytë në mëngjes jemi takuar me Imer Delian, kushëriri qe i kanë qenë pothuajse e tërë familja, afër me familje tonë. Jemi hyre ngadalë dalë, ku forcat e armatosura serbe kishin dalë në Likoc. Ne që jemi lindur aty, kemi ditur se nga të shkojmë nëpër lugshtaja, që mos me na pa”.

Deliu rrëfen se kur ka mbërritur pas dy ditësh, viktima e parë që e ka hasur ka qenë Adem Delia, vëllai i vogël i Imerit i cili  ishte masakruar. Tutje ai ka shtuar se pas viktimës së parë, ka hasur në kufomën e babait të tij. Ai e përshkruan se ” veç këmbët i kish pas pa u djeg, se krejt trupi ka qenë i djegët, komplet skelet”.

Pas këtyre dy pamjeve shokuese për Delian, dhe krejt ngjarjen e parë , ai ka shtuar se “një javë para dhe një javë pas përvjetorit, ngjarjet e pamjet i dalin para syve”.

“Jam ulur, si mem ra të ligët. Nuk kam mujt me shku të çikat e vëllaut me përçafu për së vdekur. Se për së gjalli i kam përqafuar rreth 2-3 minuta para se me ik. Rrini mos u tutni se juve nuk iu ngucin, ka qenë edhe bashkëshortja e vëllaut të madh, edhe familjarëve të Imerit. Ju kam thënë se mos u tuni se nuk iu ngucin,  ju jeni gra, fmi e pleq. Këta po i lypin kriminelët, UÇK-në ku janë” janë fjalët e tij që Delia i kujton me mallëngjim kur iu ka thënë familjarëve të tij pak para se të largohet nga turma e njerëzve, e që sot janë martirët e Abrisë.

Ndryshe, Bashkim Delia ka humbur në këtë masakër babanë, vëllaun me bashkëshorte dhe tre fëmijët e tyre.

Emrat e viktimave të masakrës së Abrisë

1. Fazli Deliu (1904)
2. Ali Deliu (1930)
3. Pajazit Deliu (1929)
4. Hava Deliu-Elshani (1936)
5. Hamide Deliu (1938)
6. Habib Deliu (1944)
7. Hysen Deliu (1946)
8. Zeçir Deliu (1954)
9. Hajriz Deliu (1964)
10. Adem Deliu (1965)
11. Lumnije Deliu (1969)
12. Mihane Deliu (1943)
13. Zahide Deliu (1971)
14. Luljeta Deliu (1971)
15. Mihane Deliu (1982)
16. Antigona Deliu (1984)
17. Gentiana Deliu (1990)
18. Donijeta Deliu (1991)
19. Jeton Deliu (1988)
20. Mendohije Deliu (1993)
21. Valmir Deliu (1993)
22. Diturije Deliu (1998),
23. Sherif Deliu (1931) (5)

Ndryshe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar Masakrën e Abrisë 25 vjet më parë nga forcat serbe.

“25 vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit, pamëshirshëm dhe egërsisht ua mori jetën, duke masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, fëmijë, pleq, gra e të rinj nga mosha 2-vjeçe e deri në moshën 94-vjeçe”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani

Presidentja Osmani ka kujtuar, po ashtu, edhe dëshmorët e UÇK-së, Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë.

“Le t’i kujtojmë të gjithë ata që humbëm me dashuri e respekt, dhe le të punojmë së bashku që autorët e krimit të vihen para drejtësisë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, ka thënë presidentja Osmani.

Ndërsa, Kryeparlamentari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Abri, në përvjetorin e 25 e 26 shtatorit.

“Masakra e Abrisë na sjell në vëmendje fushatën ushtarake gjenocidale të aparatit shtetëror serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Masakra e Abrisë është një nga emrat e gjenocidit, një ndër thirrjet e ndërgjegjes sonë të përbashkët për drejtësi”, ka theksuar Konjufca.

Glauk Konjufca

Konjufca ka bërë homazhe në nder të martirëve tanë të lirisë në Abri, njëherazi edhe për të theksuar se drejtësia akoma nuk është vendosur në vend, pa të akuzuar, pa të dënuar dhe pa përgjegjës për këtë krim makabër.

Ai ka thënë se nuk duhet pushuar për të kërkuar drejtësi për krimet që ka bërë Serbia

“Asnjëherë nuk duhet të pushojmë së thëni se drejtësia e munguar është premtim për padrejtësi dhe krim të ardhshëm të synuar dhe këtë shteti serb nuk ka reshtur së konfirmuari përmes akteve të shumtë deri më sot”, ka thënë Konjufca.

Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka përkujtuar sot 25 vjetorin e masakrës ndaj familjes Deliu, në Abri të Epërme.

Krasniqi ka thënë se “23 anëtarët e familjes martire Deliu, duarthatë e të strehuar në pyll, u masakruan pa mëshirë, në Abri të Drenicës”.

“Të gjithë, fëmijë, gra e pleq, u ekzektuan me gjakftohësi – si pjesë e politikës shtetërore serbe për të kryer gjenocid në Kosovë. Kriminelët serbë, urdhërdhënës dhe zbatues, të cilët shfarosën familjen Deliu, asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi para drejtësisë për krimin e kryer”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

“Me 26 shtator të vitit 1998, 25 vite më parë, barbaria e Serbisë shpërfaqi edhe një herë fytyrën e vet kriminale. 23 anëtarët e familjes martire Deliu, duarthatë e të strehuar në pyll, u masakruan pa mëshirë, në Abri të Drenicës” ka shkruar Krasniqi, duke iu përkulur sakrificës së familjes Deliu.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar masakrën e Abrisë dhe heronjtë Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdari në 25-vjetorin e rënies.

“25 vjet nga rënia heroike e luftëtarëve të lirisë, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari. Mësuesi me dy nxënësit e tij, që nuk lëshuan pozicionet deri në frymën e fundit, për të mbetur frymëzim trimërie në rrugën drejt lirisë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Haradinaj, po ashtu, ka kujtuar familjen Deliu, e cila ishte ekzekutuar nga forcat serbe.

“Po atë ditë, në Abri forcat serbe ekzekutuan familjen Deliu, duke mos kursyer askënd, nga foshnja disa muajshe e deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin të pafajshëm, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre!”.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika