Instituti i Kosovës për Drejtësi ka listuar disa nga vendimet urgjente që duhet të miratohen pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke përfshirë votimin e buxhetit për vitin 2026 dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas IKD-së, pas konstituimit të legjislaturës së re, Kuvendi i Kosovës duhet të adresojë një sërë vendimesh urgjente që janë vendimtare për funksionimin normal të rendit kushtetues dhe stabilitetin e institucioneve, njofton Dukagjini.
“Një nga prioritetet kryesore të Kuvendit është miratimi i Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes (880 milionë euro) dhe ratifikimi i marrëveshjes me Bankën Botërore (90 milionë euro). Këto vendime janë të domosdoshme për avansimin e insteresave strategjike nacionale, zbatimin e obligimeve ndërkombëtare, funksionimin financiar të shtetit, zbatimin e politikave publike dhe shmangien e pasigurisë së institucioneve. Po ashtu, Kuvendi duhet të sigurojë financimin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe mbështetjen financiare për komunat, si pjesë e obligimeve ligjore dhe politike për garantimin e shërbimeve publike dhe funksionimit të komunave në gjithë territorin e vendit”, thuhet në kumtesën e IKD-së.
Një prioritet po aq i rëndësishëm mbetet zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë aktgjykimin për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe të drejtat e mbi 94 mijë zyrtarëve publikë. Moszbatimi i këtyre vendimeve cenon drejtpërdrejt parimin e sundimit të ligjit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.
Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se legjislatura e re duhet të veprojë me urgjencë, përgjegjësi dhe transparencë , duke ç’bllokuar proceset kyçe, zbatuar aktgjykimet kushtetuese dhe forcuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit, në funksion të garantimit të rendit demokratik dhe interesit publik.