Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka reaguar lidhur me incidentin në Poloni, ku 19 dronë rusë kaluan mbi territorin polak.
Në deklaratë thuhet se Moska nuk kishte planifikuar të kryente ndonjë sulm në Poloni dhe se është e gatshme për konsultime me autoritetet polake.
“Nuk ishte planifikuar të shënjestrohej asnjë objekt në territorin polak. Rrezja maksimale e UAV-ve të përdorura në sulmin [në Ukrainë] nuk i kalon 700 km. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime me ministrinë polake të mbrojtjes mbi këtë temë”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Ky zhvillim është cilësuar nga autoritetet polake si një provokim i rëndë i Moskës ndaj Evropës dhe NATO-s.
Kryeministri Donald Tusk, duke folur para Parlamentit, deklaroi se Polonia nuk është në gjendje lufte, por është më afër se kurrë një konflikti që prej Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi se vendi po përballet me një shtet armik që nuk i fsheh qëllimet dashakeqe.
Polonia thotë se ka rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore
Tusk bëri të ditur se Polonia ka aktivizuar nenin 4 të NATO-s, duke thirrur strukturat vendimmarrëse të aleancës për të diskutuar mbi situatën dhe hapat e ardhshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti shkeljen e hapësirës ajrore polake “tërësisht të papërgjegjshme” dhe jo një “incident të izoluar”.
Rutte: Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia, absolutisht e rrezikshme
Sipas Tusk, Polonia ka regjistruar gjithsej 19 raste të shkeljes së hapësirës ajrore nga dronë që kanë hyrë nga Bjellorusia.
Ai e përshkroi incidentin si një “shkelje të paprecedent” që ka zgjatur nga mesnata e së martës deri në orën 6:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Ndërkohë, Ministria e Brendshme polake njoftoi se janë gjetur 7 dronë dhe pjesë të një rakete të paidentifikuar.
Zëdhënësja Karolina Gałecka konfirmoi se një prej dronëve kishte goditur një banesë në Viriki, afër kufirit me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Fatmirësisht, nga impakti nuk pati viktima.