Rreth 120 kilogramë drogë të llojit marihuanë janë kapur në një autobus që kishte hyrë nga Shqipëria në Kosovë, mëngjesin e së premtes.
Krahas konfiskimit të kësaj sasie të drogës, aksioni i Doganës në bashkëpunim me institucionet e sigurisë, ndjekjes dhe inteligjencës rezultoi me arrestimin e vozitësit të autobusit.
“Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit, kanë ndalur një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë. Gjatë kontrollit, përfshirë përdorimin e qenve nuhatës – të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – si dhe pajisjeve profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së ShBA-së, është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
I arrestuari dyshohet për kryerjen e veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
“I dyshuari B. K., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në autobusin që po e drejtonte, i është gjetur dhe sekustruar një sasi e substancës narkotike, që dyshohet të jetë rreth 120 kg. Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. B.K., me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Mjeti i destinuar për bartjen e udhëtarëve, por që u përdor për transport droge qëndroi për disa orë në terminalin doganor në Prishtinë – ku zyrtarët e shtetit kryen shikimet dhe hetimet e nevojshme.