Instituti për Siguri dhe Reziliencë – Prevent ka shprehur shqetësim për shfaqjen dhe normalizimin e një diskursi gjithnjë e më stigmatizues dhe polarizues ndaj Islamit, praktikimit të fesë islame dhe qytetarëve myslimanë në Kosovë.
Në një reagim në Facebook, Prevent ka vlerësuar se në hapësirën publike dhe atë online po shfaqen narrativa dhe deklarime që përgjithësojnë Islamin, institucionet fetare, imamët dhe besimtarët myslimanë, duke paralajmëruar se debati legjitim rreth fesë dhe çështjeve shoqërore nuk duhet të shndërrohet në stigmatizim të një komuniteti të tërë.
Instituti thekson se polarizimi fetar duhet të trajtohet në mënyrë objektive dhe me standard të njëjtë, pavarësisht se nga cili komunitet burojnë narrativat përçarëse.
Sipas Prevent-it, kjo vlen si për diskursin që mund të stigmatizojë myslimanët, ashtu edhe për reagimet ndaj tij, në rastet kur ato shndërrohen në përgjithësime, përjashtim apo kundërvënie ndaj komuniteteve të tjera fetare.
Instituti ka kërkuar gjithashtu vëmendje ndaj narrativave fetare dhe identitare që qarkullojnë në Kosovë dhe që mund të ndikohen nga zhvillimet jashtë vendit, përfshirë diskurset që lidhen me Serbinë.
“Çdo narrativë që paraqet një komunitet fetar si kërcënim për një komunitet tjetër mund të ndikojë negativisht në kohezionin shoqëror dhe duhet të trajtohet me kujdes”, thuhet në reagim.
Prevent përmend edhe aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit.
Prevent ka ndërlidhur çështjen edhe me zhvillimet e fundit dhe aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, duke bërë thirrje që dokumentet procedurale të interpretohen me kujdes dhe brenda kontekstit juridik.
Instituti ka theksuar se pretendimet e përfshira në një aktakuzë janë pretendime të Prokurorisë dhe nuk përbëjnë konstatim përfundimtar të fajësisë.
Për këtë arsye, sipas Ptrvrnt-it, çdo element që lidhet me fenë, identitetin apo perceptimin e shoqërisë duhet të analizohet profesionalisht, pa nxjerrë përfundime përtej asaj që përcaktohet nga proceset ligjore.
Prevent ka rikujtuar se liria e besimit dhe praktikimit të fesë garantohet nga neni 38 i Kushtetutës së Kosovës, ndërsa neni 39 garanton statusin dhe autonominë e bashkësive fetare.
Instituti vlerëson se kritika ndaj Islamit, feve të tjera, institucioneve dhe praktikave fetare është pjesë legjitime e debatit demokratik, por ajo duhet të dallohet nga stigmatizimi i besimtarëve, demonizimi i komuniteteve dhe nxitja e urrejtjes apo përçarjes fetare e kombëtare.
Ky institut u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që çdo rast të gjuhës së urrejtjes, intolerancës, nxitjes së përçarjes apo dhunës me motive fetare ta trajtojnë me standard të njëjtë, pavarësisht autorit apo komunitetit ndaj të cilit drejtohet.
Thirrje për përgjegjësi në komunikimin publik u është drejtuar edhe mediave, komuniteteve fetare, shoqërisë civile dhe udhëheqësve politikë.
Sipas Institutit, ruajtja e bashkëjetesës fetare në Kosovë kërkon refuzimin e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe instrumentalizimit të dallimeve fetare, si dhe promovimin e dialogut, tolerancës dhe kohezionit shoqëror.