Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes hetuesve të Departamentit të Hetimeve, ka arrestuar të shtunën një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “ngacmim”.
Sipas IPK-së, rasti është iniciuar pas pranimit të informacioneve nga ankuesja, e cila ka denoncuar veprimet e dyshuara të kundërligjshme të zyrtarit policor.
“Pas pranimit të këtyre informacioneve, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorinë kanë ndërmarrë veprime hetimore pas të cilave zyrtari policor i dyshuar në këtë rast është arrestuar kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, u tha në njoftimin e IKP-së.
IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin.