Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, lidhur me një incident që dyshohet se ka ndodhur pas mesnatës.
Sipas njoftimit, hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së janë duke zhvilluar hetime ndaj zyrtarit policor për veprën penale “Sulm”.
Pas konsultimeve me Prokurorinë, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
IPK ka bërë të ditur se zyrtari policor i dyshuar, në momentin e incidentit, ka qenë jashtë detyrës zyrtare.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.