Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor dhe ka rekomanduar suspendimin e katër të tjerëve, pas dyshimeve për përfshirje në veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetimet kanë nisur ndaj pesë zyrtarëve policorë të angazhuar në Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë pasi bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se më 13 mars 2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ata kanë përvetësuar një pjesë të cigareve të sekuestruara nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Kosovës, njofton Dukagjini.
Sipas hetimeve, pas sekuestrimit të mbi 100 pakove me cigare, zyrtarët dyshohet se kanë përvetësuar 24 paketa, që përfshijnë rreth 12,500 pako cigare në vlerë afro 30 mijë euro, ndërsa në Doganën e Kosovës kanë dorëzuar vetëm 84 paketa të dyshuara si të kontrabanduara.
Pas veprimeve hetimore, njëri nga zyrtarët është arrestuar dhe me vendim të Prokuroria Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa katër të tjerët po hetohen në procedurë të rregullt.
IPK, duke marrë parasysh natyrën e veprës që lidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe integritetin policor, i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të pesë zyrtarëve të dyshuar.