Irani arreston udhëheqës protestash derisa SHBA kërcënon me ndërhyrje

Autoritetet iraniane kanë arrestuar figura kyçe të lëvizjes protestuese që ka tronditur vendin gjatë dy javëve të fundit, ka bërë të ditur shefi i policisë kombëtare të Iranit, Ahmad-Reza Radan.

“Gjatë natës së kaluar janë kryer arrestime të rëndësishme ndaj elementëve kryesorë të trazirave, të cilët, me vullnetin e Zotit, do të ndëshkohen pasi të kalojnë procedurat ligjore”, ka deklaruar Radan për televizionin shtetëror, pa dhënë shifra konkrete.

Më herët, prokurori i përgjithshëm i Iranit paralajmëroi se personat e kapur duke protestuar, apo edhe ata që ndihmojnë protestuesit, mund të akuzohen si “armiq të Zotit” – një vepër që dënohet me vdekje sipas ligjit iranian.

Protestat, tashmë në javën e dytë, përbëjnë trazirat më të mëdha që Irani ka përjetuar prej vitesh. Ato nisën pas rënies së fortë të monedhës kombëtare, por shpejt u shndërruan në thirrje për reforma politike dhe rrëzim të qeverisë.

Sipas analistëve, ndryshe nga protestat e mëparshme, kjo valë po zhvillohet në një moment dobësie për regjimin, për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe pas luftës së verës me Izraelin.

Të enjten, autoritetet ndërprenë pothuajse plotësisht internetin në të gjithë vendin. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se kjo ndërprerje është përdorur për të intensifikuar represionin, përfshirë përdorimin e forcës vdekjeprurëse dhe municioneve reale ndaj demonstruesve.

Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut, me seli në SHBA, të paktën 116 persona janë vrarë dhe rreth 2.600 janë arrestuar. “Shumica e viktimave janë qëlluar me armë zjarri ose plumba gome nga distanca e afërt”, thuhet në raport.

Në këtë sfond, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje nëse autoritetet iraniane vazhdojnë vrasjen e protestuesve. “Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA është gati të ndihmojë!!!”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Sipas raportimeve të New York Times dhe Wall Street Journal, Trump është informuar për opsione ushtarake kundër Iranit, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Senatorë amerikanë, përfshirë Lindsey Graham, kanë përforcuar mesazhin, duke deklaruar se “makthi i gjatë i iranianëve po shkon drejt fundit”.

Kërcënimet nga Uashingtoni kanë nxitur reagime të ashpra nga Teherani. Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se SHBA dhe Izraeli do të ishin “objektiva legjitime” në rast të një sulmi.

“Nëse Irani sulmohet, të gjitha bazat, anijet dhe qendrat ushtarake amerikane në rajon, si dhe territori i pushtuar, do të jenë objektiva legjitime”, tha ai.

Pavarësisht goditjeve dhe arrestimeve, protestat kanë vazhduar. Video të publikuara në rrjete sociale tregojnë mijëra qytetarë në veri të Teheranit duke rrahur tenxhere dhe duke brohoritur slogane kundër qeverisë.

Në Mashhad, qyteti i lindjes së liderit suprem Ali Khamenei, protestuesit janë përballur me policinë, kanë ngritur barrikada dhe kanë ndezur zjarre./TheGuardian

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika