Ministria e Jashtme e Iranit ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, duke i cilësuar si “të rremë dhe të pabazë” pretendimet se Teherani ka kërkuar armëpushim.
Sipas mediave shtetërore iraniane, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baqaei, ka deklaruar se Irani nuk ka kërkuar armëpushim dhe se deklaratat e Trumpit nuk qëndrojnë.
Më herët, Trump kishte thënë në një postim në Truth Social se “regjimi i ri i Iranit” kishte kërkuar armëpushim, pa saktësuar se për kë bëhej fjalë.
Ai shtoi se SHBA do të shqyrtonte një armëpushim vetëm kur Ngushtica e Hormuzit të ishte “e hapur dhe e lirë”.
Presidenti amerikan gjithashtu përsëriti kërcënimet ndaj Iranit, duke thënë se SHBA po e godet vendin “deri në asgjësim”, nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Në deklarata të tjera, Trump ka thënë se po shqyrton edhe mundësinë e tërheqjes nga NATO, megjithëse një vendim i tillë do të përballej me pengesa ligjore në SHBA.
Ndërkohë në Londër, kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se këtë javë Mbretëria e Bashkuar do të organizojë një takim me dhjetëra shtete për situatën në Ngushticën e Hormuzit.