Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, Amir-Saeid Iravani, ka hedhur poshtë si “të pabaza” akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj Teheranit, duke thënë se sulmi ndaj tri bazave bërthamore iraniane ishte i motivuar politikisht.
Gjatë mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ai ka kërkuar që çdo shtet ta dënojë këtë sulm.
“Kjo është një provë historike për këtë Këshill dhe për vetë Kombet e Bashkuara. Çdo shtet dhe çdo aktor përgjegjës duhet të ngrihet dhe t’i dënojë, pa hezitim, këto krime të hapura”, deklaroi Iravani, duke e cilësuar sulmin amerikan si të hapur dhe flagrant.
Nga ana tjetër, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, deklaroi se mosveprimi ndaj Iranit do të kishte pasur pasoja katastrofike.
“Sikur të mos veprohej, kostoja do të ishte katastrofike. Një Iran me armë bërthamore do të kishte qenë një dënim me vdekje”, tha Danon.
Ai shtoi se sulmi ishte “linja e fundit e mbrojtjes”, pasi çdo përpjekje tjetër kishte dështuar.
Ambasadori izraelit akuzoi gjithashtu Iranin se po e përdor procesin e negociatave bërthamore si një mbulesë për të fituar kohë, gjatë së cilës, sipas tij, po zhvillon raketa dhe pasuron uraniumin.