Irani paralajmëron: Sulmi ndaj Khameneit do të ishte shpallje lufte

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar se çdo sulm ndaj Liderit Suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei, do të konsiderohej si shpallje lufte ndaj Iranit.

Në një reagim në rrjetin social X, Pezeshkian tha se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda. “Sulmi ndaj liderit të madh të vendit tonë është i barabartë me një luftë të plotë kundër kombit iranian,” shkroi ai.

Deklarata vjen mes spekulimeve se presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e eliminimit ose largimit të Khameneit nga pushteti.

Trump, në një intervistë për Politico, bëri thirrje për përfundimin e sundimit gati 40-vjeçar të liderit suprem, duke e quajtur atë “një njeri të sëmurë që duhet të drejtojë vendin siç duhet dhe të ndalojë vrasjen e njerëzve”.

Pezeshkian ka fajësuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara për protestat masive që kanë përfshirë Iranin gjatë dy javëve të fundit dhe që kanë çuar në mijëra viktima. Sipas tij, kriza ekonomike dhe vështirësitë e qytetarëve janë pasojë e “armiqësisë së gjatë dhe sanksioneve çnjerëzore të vendosura nga SHBA dhe aleatët e saj”.

Protestat nisën më 28 dhjetor, pas zemërimit të qytetarëve për inflacionin e lartë, rënien e monedhës dhe varfërinë në rritje. Ato u përhapën shpejt nga Teherani në qytete të tjera dhe u shndërruan në protesta të gjera kundër regjimit, me kërkesa për ndryshim pushteti.

Më 8 janar, autoritetet iraniane reaguan duke ndërprerë pothuajse plotësisht internetin dhe shërbimet telefonike, në përpjekje për të frenuar komunikimin, për të fshehur përmasat e trazirave dhe për të penguar raportimin e pavarur.

Të martën e kaluar, Trump u bëri thirrje iranianëve të vazhdojnë protestat dhe t’i “marrin institucionet në dorë”, duke deklaruar se “ndihma është rrugës”. Një ditë më vonë, SHBA ishte pranë nisjes së sulmeve ushtarake ndaj Iranit, por vendimi u pezullua për shkak të presionit diplomatik dhe rajonal.

Sipas portalit Axios, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Trump se Izraeli nuk ishte i përgatitur për një kundërpërgjigje iraniane dhe ka vënë në dyshim efektivitetin e një sulmi amerikan. Edhe princi saudit Mohammed bin Salman ka kërkuar përmbajtje, për shkak të rrezikut për stabilitetin rajonal.

Në një postim në rrjete sociale, Trump pretendoi se udhëheqësit iranianë kishin anuluar ekzekutimin e planifikuar të rreth 800 personave, përfshirë Erfan Soltanin, 26-vjeçar, protestuesi i parë i dënuar me vdekje që nga fillimi i trazirave. Familja e tij konfirmoi gjatë fundjavës se ai është gjallë, por shprehu shqetësim për tortura dhe mungesë trajtimi mjekësor gjatë paraburgimit.

Një zyrtar iranian ka deklaruar se të paktën 5,000 persona janë vrarë gjatë protestave, përfshirë rreth 500 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Autoritetet fajësojnë “terroristë dhe traziraxhinj të armatosur” për viktimat civile.

Në një fjalim të enjten, Khamenei pranoi për herë të parë se mijëra njerëz janë vrarë, disa prej tyre “në mënyrë çnjerëzore dhe barbare”.

Ai fajësoi SHBA-në për dhunën, e quajti Trump-in “kriminel” dhe bëri thirrje për ndëshkime të rrepta ndaj protestuesve./TheGuardian

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika